Bislimi thotë se Kosova ka potencial të madh zhvillimor

18:13 | 11 Shtator 2022

Vendi ynë ka popullsinë më të re në Evropë.

Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi, ka deklaruar se Kosova ka potencial të madh zhvillimor, në moshë mesatare të re të popullsisë e me cilësi të lartë të demokracisë.

Bislimi theksoi se Kosova ofron një mjedis të përshtatshëm për mundësinë e investimit dhe po avancon përmes një agjende ambicioze drejt integrimit evropian, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, performanca dhe imazhi pozitiv i Kosovës, reflektohet dhe në përmirësimin në pozicione, ndër më të lartat ndonjëherë në renditje botërore.

Postimi i plotë:

Gjatë kësaj jave pata mundësinë të marr pjesë në “Investment Management Exhibition” të organizuar në Frankfurt. Zhvilluam takime me investitorë të ndryshëm, me të cilët folëm mbi atë se çfarë Kosova i ofron investitorëve ekzistues dhe potencial.

Vendi ynë ka potencial të madh zhvillimor, me moshë mesatare të re të popullsisë, cilësi të lartë të demokracisë dhe Qeveri të fokusuar në punësim dhe drejtësi. Kosova ofron një mjedis të përshtatshëm për mundësitë e investimit dhe po avancon përmes një agjende ambicioze drejt integrimit evropian.

Performanca dhe imazhi pozitiv i Kosovës, reflektohet dhe në përmirësimin në pozicione, ndër më të lartat ndonjëherë, në renditjet botërore. Ndër hapat e rëndësishëm të ndërmarrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, është dhe formalizimi i ekonomisë, që ka sjellë rritje të shpejtë dhe të qëndrueshme.

Gjithashtu, agjenda ambicioze legjislative dhe ndërmarrja e reformave në fushat e politikës industriale, në statusin strategjik të investitorit, krijimin e Gjykatës Komerciale, reformimit të legjislacionit për Zonat Ekonomike dhe poashtu mbi inovacionin, e bëjnë Kosovën një vend të sigurt për tërheqjen e investimeve strategjike.

Komento: