Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka vlerësuar sot se propozimi franko-gjerman për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është shumë më afër qëndrimit të Serbisë nga perspektiva e dialogut midis dy vendeve i cili zhvillohet në Bruksel.
Në një fjalim online në Forumin e Sigurisë në Beograd, siç raporton “Danas”, Bislimi tha se Kosova dëshiron një marrëveshje përfundimtare dhe njohje reciproke nga dialogu, ndërsa për Serbinë, sipas tij, është e rëndësishme që ajo të mos jetë një marrëveshje përfundimtare dhe të mos përfshijë njohje reciproke.
“Nga kjo perspektivë, propozimi franko-gjerman është shumë më afër qëndrimit të Serbisë, sepse nuk paraqet marrëveshje përfundimtare dhe nuk përmban njohje reciproke në këtë fazë”, vlerësoi ai.
Bislimi theksoi se të dyja palët janë pajtuar që në këtë moment nuk është produktive të zbulohet dokumenti, sepse do të “vrasë shpirtin” e gjërave pozitive që duhet të sjellë dokumenti.
“Por i takon të dyja palëve të vendosin se kur do të jetë momenti i duhur për ta shpallur atë”, theksoi Bislimi, transmeton Telegrafi.
Duke komentuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e afatit për riregjistrim dhe zbatimin e tij në tri faza, Bislimi thotë se kanë vendosur që të mos fillojnë menjëherë me dënime drastike, por vetëm me paralajmërime deri më 21 nëntor.
“Qytetarët që kanë targa të paligjshme do të marrin paralajmërime për ndërrimin e tyre sa më shpejt. Pas kësaj, policia do të duhet t’u shqiptojë gjoba, në përputhje me ligjin, të cilat do të arrijnë në rreth 150 euro. Nga janari i vitit 2023 qytetarët do të marrin targa të përkohshme në këmbim të vjetrave dhe shpresojmë që ky proces të përfundojë pa asnjë incident deri më 21 prill”, tha ai.
Bislimi përkujtoi se 21 prilli ishte afati i fundit për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për çështjen e targave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por se në Bruksel nuk u arrit asnjë propozim përfundimtar sepse “pala serbe nuk ishte konstruktive dhe nuk pranoi asnjë nga propozimet e BE-së. ”
Sipas tij, arsyeja pse ka pasur kërkesë nga Perëndimi për shtyrjen e afatit për riregjistrim është “shqetësimi për fushatën dezinformuese të presidentit serb Aleksandar Vuçiq ndaj qytetarëve të Kosovës në komunat veriore, kërcënimi i strukturave paralele dhe ilegale të financuara nga Beogradi dhe shqetësimi se Vuçiq është gati të ngrit tensionet shkaku i një problemi të thjeshtë”.
“Kërkesa ishte gjithashtu që të mos konfirmojmë frikën që Vuçiq ka përhapur gjatë javëve të kaluara. Nga ne është kërkuar dhe donim të punonim për gjetjen e një mekanizmi për ta lehtësuar tranzicionin dhe për të rritur gatishmërinë e qytetarëve për t’iu bindur ligjit”, shtoi Bislimi.
Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, theksoi se minutat e para të konferencës kishin të bënin me targat, dhe jo për “të ardhmen e komunitetit serb në Kosovë, nëse ata kanë të ardhme, cilat janë rregullat që do t’i motivojnë ata të qëndrojnë, si as për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare”.
Ai theksoi se është shumë i zhgënjyer nga kjo, si dhe nga gjendja e energjisë elektrike në veri të Kosovës, e cila ka muaj që po vazhdon pa zgjidhje për gjëra të vogla, por se është inkurajuar nga fakti që liderët e BE-së, Francës dhe Gjermanisë, janë bashkuar në zgjidhjen e problemit të Kosovës.
“Pa hyrë në detaje, francezët dhe gjermanët e kuptojnë. Ato vende, vetëm shikoni historinë, as në ato vende nuk kishte paqe, kurse në 75 vitet e fundit kanë arritur një bashkëpunim të jashtëzakonshëm. Mendoj se duhet të marrim njëfarë optimizmi të njerëzve nga BE-ja dhe të përpiqemi të fillojmë të përshpejtojmë zgjidhjen e problemeve rajonale”, tha ambasadori.
Duke folur për faktin se Bislimi nuk mundi të merrte pjesë në konferencë, sepse vizita e tij të enjten ishte refuzuar “për arsye sigurie”, Hill theksoi se do të dëshironte që Bislimi të ishte atje, por theksoi se negociatori serb, Petar Petkoviq, ka i njëjti problem kur u përpoq të shkonte në Kosovë.