Bizneset presin themelimin e shpejtë të Gjykatës Komerciale.
Përfaqësues të biznesit në Kosovë po shpresojnë që qeveria Kurti do të themelojë Gjykatën Komerciale, pasi kjo është kërkesë e kahershme e tyre. Nevoja për krijimin e kësaj trupe vjen nga numri i madh i lëndëve ekonomike që janë në pritje tash e sa vite.
Optimiste për krijimin e kësaj gjykate është edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila vlerëson se kjo gjykatë është një shans i mirë që Kosova të mos përfundojë gjithmonë në arbitrazhet e jashtme në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Ajo thotë se do të marrin masa adekuate për themelimin e Gjykatës Komerciale.
“Ne do të marrim masa pikërisht për krijimin e një njësie që i merr parasysh ankesat e bizneseve, lidhur me investimet, por në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë edhe për krijimin e Gjykatës Komerciale. Kjo do të jetë një shans i mirë për bizneset, për investitorët, por do të jetë një shans e mirë që edhe Kosova të mos përfundojë gjithmonë në arbitrazhet e jashtme në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”, thotë ajo.
Kryetari i bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi shpreson se gjatë këtij mandati të qeverisë do të finalizohet themelimi i Gjykatës Komerciale, për të cilën bizneset kanë adresuar kërkesa tash e sa kohë.
Si Odë e Afarizmit, Krasniqi thotë se i kanë dërguar rekomandimet e tyre qeverisë Kurti, teksa shton se kjo e fundit duhet t’i zgjidhë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me biznes.
“Kësaj radhe ne presim që do të jetë me e shpejt, marrë parasysh që kemi një qeveri, e cila është më stabile, e cila e ka shumicën në parlament. Ideja për gjykatë ka disa vite që është nisur, edhe në qeverinë e kaluar filloi dhe u premtua që në shtatorin e vitit të kaluar do të përfundojë, do të shkojë në parlament, por ndodhi ajo që ndodhi dhe u kthye e gjitha në pikën zero. Ne si Odë e Afarizmit i kemi dërguar rekomandimet tona qeverisë, për kërkesat tona, për numrin e gjykatësve, por edhe që kjo gjykatë shumë shpejt të shkojë dhe në qeveri të diskutohet, pastaj të shkojë edhe në parlament të votohet, pasi është një nga pengesat e mëdha të të bërit biznes dhe një nga pengesat për ardhjen e investimeve të huaja”, thotë ai.
Krahas kësaj, Krasniqi thekson nevojën për ligjin për falimentim dhe atë mbi pagesa.
Mes tjerash, ai flet për rëndësinë e shqyrtimit të shpejtë të lëndëve të vjetruara nga Gjykata Komerciale, në mënyrë që t’u hapet rrugë lëndëve të reja.
“Të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me biznes duhet t’i zgjidh Gjykata Komerciale, sepse është nevojë dhe kemi mijëra lëndë që janë në pritje me vite dhe kjo gjykatë do të duhet të ketë shumë gjykatës në fillim, së paku t’i trajtojë lëndët e vjetruara dhe të merret me trajtimin e shpejtë të lëndëve që vijnë, në mënyrë që të mos të kemi vonesa në gjykatë. Krahas kësaj duhet të krijohen edhe disa ligje, siç është ligji për falimentim dhe ligji mbi pagesa, të cilat duhet të trajtohen, dhe Gjykata Komerciale e ndihmon trajtimin e këtyre lëndëve si rezultat i punës më efektive që do të ketë si në numrin e gjykatësve, ashtu edhe në shpejtësinë që duhet të precizohet me ligj të trajtimit të lëndëve ekonomike”, thekson ai.
Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi pret që themelimi i Gjykatës Komerciale të mos vonojë.
Përveç shqyrtimit të shpejt të lëndëve që kjo gjykatë do të duhet të bëjë, Rukiqi thekson rëndësinë e trajtimit përmbajtësor të lëndëve.
“Kemi parë analiza të ndryshme që deri në 5-8 vite bizneset kanë pritur për zgjidhjen e shumë rasteve të cilat kanë qenë të karakterit komercial dhe pas shumë analizave tjera kemi konstatuar që një Gjykatë Komerciale, e cila duhet të jetë jashtëzakonisht profesionale dhe të ketë një përmbajtje të tillë, që mundëson që këto raste të trajtohen jo vetëm në aspektin e shpejtësisë, por të trajtohen edhe në aspektin përmbajtjesorë siç duhet në mënyrë që të mos dëmtohen bizneset… Ne besojmë që kësaj here, edhe pse kemi besuar edhe në të kaluarën, pasi që nuk ka qenë diçka e karakterit politik dhe nuk ka ra ndesh me çfarëdo interesi të partive politike që kanë qenë në pozitë apo opozitë, prapë se prapë është vonuar, dhe tanimë besojmë që në këtë mandat të kësaj qeverie edhe do të kalojë”, thotë ai.
Ai është i bindur se kjo gjykatë do të ndikojë pozitivisht në klimën e të bërit biznes dhe në nxitjen e investimeve të huaja.
“Siguria juridike është një çështje e cila është pengesë kryesore për investitorët e brendshëm dhe investitorët e huaj. Tani ne e kemi një mekanizëm brenda shumë mekanizmave që duhet të krijohet në sistemin gjyqësor, flas në raport me mekanizmin e Gjykatës Komerciale, si një mekanizëm që e rregullon sadopak këtë sigurinë juridike që lidhet me bizneset. Dhe, pastaj, kjo do të ndikojë pozitivisht edhe në klimën e të bërit biznes, edhe në nxitjen e investimeve të reja qoftë nga brenda, qoftë nga jashtë. Por në të njëjtën kohë, edhe bizneset që kanë shumë kontekste që kanë me vite, të ndihen më të sigurta në aspektin juridik dhe pastaj kjo ndikon edhe në performancën e tyre të përgjithshme”, thotë Rukiqi.
Ditë më parë, Ministria e Drejtësisë ka diskutuar lidhur më projektligjin dhe për funksionalizimin e Gjykatës Komerciale, ku është folur edhe për çështjen e dyshkallshmërisë së Gjykatës Komerciale dhe rolin e saj në shqyrtimin e lëndëve të natyrës komerciale të bizneseve dhe personave të tjerë juridikë në Kosovë.
Themelimi i Gjykatës Komerciale, Ministria e Drejtësisë vlerëson se do të sillte ndikim pozitiv për grupet e interesit, veçanërisht për investitorët dhe bizneset e huaja në vend duke prodhuar siguri më të madhe juridike dhe kësisoj duke ofruar më shumë edhe investime nga jashtë.
Përfaqësues të bizneseve në Kosovë kanë avokuar vazhdimisht për një mekanizëm gjyqësor, i cili mundëson zgjidhje të shpejt të problemeve që kanë bizneset dhe investitorët.
Sipas strukturës organizative të gjykatave të Kosovës, të përcaktuar në ligjin për gjykatat, departamenti për çështje ekonomike që vepron në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është i vetmi departament që ka kompetencë të merret me çështjet ekonomike/afariste nga e gjithë Kosova.