Bizneset nuk dëshirojnë t’i kthehen tregut të Serbisë

15:52 | 12 Shkurt 2020

Bizneset hezitojnë t’i kthehen tregut të Serbisë.

Përfaqësuesit e bizneseve prodhuese dhe ato importuese të mallrave në Kosovë, thonë se kryeministri Albin Kurti dhe qeveria e re e Kosovës, duhet të reflektojnë karshi kërkesave të shpeshtuara të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çështjen e tarifave doganore ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Sipas tyre, qeveria duhet të marrë një vendim, ndonëse që nga vendosja e taksës doganore nga qeveria e kaluar në nëntor të vitit 2018, ata thonë se tashmë kanë gjetur tregje të reja për vazhdimin e aktiviteteve të tyre biznesore.

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, ka përsëritur të martën se taksa 100 për qind ndaj importeve nga Serbia duhet të hiqet, në mënyrë që investimet të vihen në funksion.

Taksa doganore 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina është vendosur në fund të vitit 2018, nga qeveria e kaluar, por kjo taksë po shqyrtohet aktualisht nga qeveria e re e kryeministrit Albin Kurti, me synimin që të zëvendësohet me reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar ndaj Serbisë.

Sektori i industrisë prodhuese, sipas drejtorit ekzekutiv të Klubit të Prodhuesve, Astrit Panxha, është përfituesi më i madh nga taksa 100 për qind.

Ai tha për Radion Evropa e Lirë se që nga vendosja e taksës, kompanitë prodhuese kanë raportuar se kanë rritur kapacitetet, kanë zgjeruar veprimtaritë e tyre si dhe kanë shtuar numrin e punëtorëve.

Ndërkaq, nisur nga kërkesat e përsëritura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për heqjen e taksës, Panxha thotë se para se të merret ndonjë vendim, Qeveria e Kosovës duhet të konsultohet edhe me kompanitë prodhuese.

“Ky vendim është në dorën e Qeverisë së Kosovës. Ne e inkurajojmë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti që të konsultohet se pari më sektorin e prodhimit për çfarëdo vendimi që do të merret sepse ky vendim do të ketë implikime ekonomike për sektorin e prodhimit”, thekson Panxha.

Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës, me gjithë vështirësitë për gjetjen e tregjeve të reja për importin e produkteve, e kishte përkrahur vendosjen e taksës 100 për qind nga qeveria e kaluar.

Fadil Berjani, kryetar i kësaj Shoqate në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se pas presioneve të SHBA-së dhe BE-së, tani qeveria duhet të vendosë për heqjen e taksës, pasi thotë ai, kompanitë e derivateve të naftës tashmë janë komode me tregjet e reja.

“Që të hiqet taksa…ky është qëndrim i Shoqatës së Naftëtarave – edhe nëse hiqet taka nuk do të ketë import nga Serbia”, tha Berjani.

Sipas Berjanit, gjatë një dite në Kosovë nga vendet e rajonit hynë deri 70 autobote me derivate të naftës.

Një tjetër sektor që fillimisht ishte prekur nga taksa 100 për qind është ndërtimtaria. Por, me kalimin e kohës edhe ky sektor i ka zëvendësuar produktet e Serbisë me produkte nga shtetet tjera të rajonit, por edhe me prodhime vendore.

Brahim Selimaj nga Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë, se taksa duhet të pezullohet.

“Tashmë prodhuesi është i vetëdijesuar, vetëm në rast se nuk gjen altarnativë tjetër i kthehet tregut të Serbisë. Sipas mendimit tim, për shkak të miqësisë me SHBA-në, që insiston të mos ketë masë tjetër ndaj Serbisë (reciprociteti), më mirë do ishte të pezullohet taksa për një periudhë tre mujore, e më pas të vendoset reciprociteti”, thekson Selimaj.

Në anën tjetër Astrit Panxha, nga Klubi i Prodhueseve të Kosovës, konsideron se fillimisht duhet të rregullohet tregu i brendshëm i Kosovës, në mënyrë që mos të lejohet të importohen produkte me çmim më të lirë nga vendet e rajonit, e më pas të ketë vendim.

“Ne nuk mund të komentojmë aspektin politik, por nëse vendoset të tërhiqet tarifa, ne kërkojmë që të rregullohet tregu i brendshëm i Kosovës. Mos të ketë më produkte të Serbisë që vijnë dhe shiten në tregun e Kosovës nën çmimin e kostos së prodhimit, që vijnë në formë të damiping-ut”, thotë ai.

Që nga vendosja e taksës 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, importi nga këto shtete ka rënë për 99 për qind.

Para vendosjes së taksës doganore, Serbia ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë. Ky shtet, para 21 nëntorit, të vitit 2018 – kur u vendos taksa 100 për qind – gjatë një dite ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 1.2 milion euro apo rreth 450 milionë euro brenda një viti.

Qeveria e udhëhequr në atë kohë nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, vendosi taksën ndaj mallrave serbe, për shkak të siç kishte thënë “fushatës agresive të Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës, dhe lobimit kundër anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare”.

Beogradi menjëherë pezulloi pjesëmarrjen në bisedimet për normalizimin e raporteve me Kosovën, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Qeveria e re e Kosovës, e kryeministrit Albin Kurti, ka marrë mbështetjen e SHBA-së e BE-së për heqjen e taksës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia, por kjo përkrahje i ka munguar në tentativën proklamuar që taksën ta zëvendësojë me vendosjen e masës së reciprocitetit të plotë ndaj Serbisë.

Komento: