BKS, Policia dhe BQK nisin fushatën vetëdijësuesepër përdorimin e Raportit Evropian të Aksidentit

12:30 | 18 Qershor 2026
bks,-policia-dhe-bqk-nisin-fushaten-vetedijesueseper-perdorimin-e-raportit-evropian-te-aksidentit

Përdorimi i Raportit Evropian të Aksidentit (REA) për aksidentet me dëme të vogla materiale do të lehtësojë procedurat për qytetarët, do të zvogëlojë ngarkesën administrative dhe do të mundësojë trajtim më të shpejtë të kërkesave për dëmshpërblim, u tha në Konferencën për Lansimin e Fushatës Vetëdijësuese për Përdorimin e Raportit Evropian të Aksidentit, organizuar nga Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe me mbështetjen e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Përfaqësuesit e institucioneve theksuan se përdorimi i këtij raporti do të kontribuojë në lirimin më të shpejtë të rrugëve pas aksidenteve të lehta, uljen e vonesave në trajtimin e rasteve dhe afrimin e praktikave vendore me standardet evropiane.

Nënkoloneli Jeton Rexhepi tha se qytetarët duhet të përdorin Raportin Evropian të Aksidentit në rastet kur bëhet fjalë për aksidente me dëme të vogla materiale.

“Përmes kësaj konference edhe një herë do të thotë kërkojmë nga pjesëmarrësit në trafikun rrugor që, në aksidentet me dëme të vogla materiale, ashtu siç është e përcaktuar me ligjin e rregullave të trafikut rrugor, të menaxhojnë ose të plotësojnë raportin evropian të aksidentit me të dhënat e shoferëve, me të dhënat e automjeteve, t’i nënshkruajnë raportet dhe t’i paraqesin pranë kompanive të sigurimeve. Dhe ky raport evropian i aksidentit e ka për qëllim së pari do të thotë të lirojë sa më shpejt të jetë e mundur rrugën, për pjesëmarrësit në trafik, meqenëse nënkupton që automjetet largohen nga rruga. Në të njëjtën kohë do të kemi procedura të lehtësuara për kompanitë e sigurimeve, po në të njëjtën kohë Policia e Kosovës nuk do të menaxhojë aksidente të cilat konsiderohen aksidente me dëme të vogla materiale”, tha ai.

Rexhepi foli edhe për statistikat e aksidenteve gjatë këtij viti.

“Për këtë vit, ose deri më tash mund të themi që aksidentet me persona të vdekur pothuajse i kemi të njëjtë. 38 persona kanë humbur jetën deri më dje, po ashtu edhe vitin e kaluar për këtë periudhë të njëjtë kanë qenë 38. Ndërsa aksidentet me lëndime do të thotë kanë shënuar një rënie prej rreth 9.7 për qind, dhe aksidentet në përgjithësi prej 5 për qind”, tha ai.

Nga Banka Qendrore e Kosovës, Ramize Ramadani tha se përdorimi i raportit paraqet një hap të rëndësishëm drejt modernizimit dhe standardizimit të procedurave.

“Në këtë kontekst përdorimi i këtij raporti paraqet një hap konkret drejt standardizimit dhe modernizimit të mbledhjes së të dhënave duke reduktuar procedurat administrative duke shmangur vonesat e panevojshme dhe duke mundësuar trajtim më të shpejtë të kërkesave për dëmshpërblim. Të dhënat e sektorit tregojnë një numër të konsiderueshëm të dëmeve që ndodhin në vendin tonë e që i përkasin aksidenteve të trafikut kanë të bëjnë me dëme materiale me vlera të ulëta. Nëse i referohemi vetëm të dhënave të vitit 2025, rreth 70 për qind e numrit të përgjithshëm të kërkesave për dëmshpërblim i takojnë dëmeve materiale me vlerë deri në 1 mijë euro, përderisa kjo përbën vetëm 30 për qind të shumës totale të dëmeve që paguan ky sektor. Ky tregues na përkthehet në një numër masiv të rasteve tek të cilat, me theks aksidentet e lehta, dokumentimi i saktë, i standardizuar dhe i qartë do të ndikojë drejtpërdrejt në shkurtimin e kohëzgjatjes së procedurave dhe në uljen e barrës administrative për qytetarët dhe institucionet”, tha ajo.

Përfaqësuesi i kompanive të sigurimeve, Përparim Drini, tha se sektori i sigurimeve ka bërë progres, por mbetet ende prapa standardeve të vendeve të Bashkimit Evropian.

“Sektori ka bërë një progres të konsiderueshëm dhe njëkohësisht ka ende potencial të madh për zgjerim dhe diversifikim. Penetrimi i sigurimeve në Kosovë ende mbetet i ulët nëse e krahasojmë me shtetet e rajonit e sidomos me shtetet e Bashkimit Evropian ku është qëllimi ynë. Raporti evropian i aksidenteve është një dokument standard i përdorur në më shumë se 40 vende evropiane dhe përfaqëson praktikën më të avancuar për dokumentimin e aksidenteve materiale, pa të lënduar”, tha ai.

E, drejtoresha ekzekutive e BKS-së, Krenare Pirani-Kiseri, tha se shumica e aksidenteve të regjistruara këtë vit kanë qenë me dëme materiale.

“Rëndësia e kësaj fushate bëhet edhe më e qartë kur shohim statistikat. Në pesëmujorin e parë të vitit 2026 janë regjistruar gjithsej 8 mijë e 400 aksidente, nga të cilat 5 mijë e 52 aksidente kanë qenë aksidente me dëme materiale. Kjo do të thotë se mijëra qytetarë çdo ditë ballafaqohen me procedura pas aksidenteve të veta, të cilat mund të zgjidhen shumë shpejt përmes përdorimit korrekt të Raportit Evropian të Aksidenteve. Qëllimi ynë është që çdo qytetar të dijë se kur dhe si duhet të përdoret Raporti Evropian i Aksidenteve. Përdorimi i raportit evropian nënkupton më pak pritje në vendngjarje, më pak bllokim të trafikut dhe trajtim më të shpejtë të dëmeve, si dhe një shërbim më efikas për qytetarët”, tha ajo.

Komento: