Blakaj: Rezultatet e sistemit prokurorial dhe gjyqësor, larg pritshmërive të qytetarëve

23:38 | 28 December 2024
blakaj:-rezultatet-e-sistemit-prokurorial-dhe-gjyqesor,-larg-pritshmerive-te-qytetareve

Ish-prokurori Elez Blakaj, ka thënë se edhe gjatë vitit 2024, puna dhe rezultatet në sistemin prokurorial dhe gjyqësor mbesin akoma larg pritshmërive të qytetarëve.

Blakaj tha se vlerësimet dhe meritat për punën e mirë identifikohen me ata prokurorë dhe gjyqtarë me integritet të cilët, sipas tij, nuk kanë ngjyrim politik, nuk marrin urdhra nga askush por që janë të aftë profesionalisht dhe punën e kryejnë në mënyrë të pavarur.

“Nga ana tjetër, jemi dëshmitarë të vendimeve të ndryshme gjyqësore, të cilat për raste të caktuara me arsyetimet e tyre, fare nuk bindin, madje nxisin edhe reagime nga të dëmtuarit dhe publiku i gjerë! Sjelljet e subjekteve procedurale në seanca gjyqësore, lojërat e ndryshme me prova, qasja dhe arroganca e tyre gjatë procedurës, mosrespektimi i afateve etj., vazhdojnë ta zbehin dhe ulin ndjeshëm besimin e qytetarëve në pavarësinë e gjyqësorit”.

“Dhe dërgojnë një mesazh të keq edhe tek vetë qytetarët! Ndërsa, ironia më e madhe me këto raste qëndron në faktin se, pas të gjitha këtyre sjelljeve dhe veprimeve, në përfundim, vendimet merren ‘Në Emër të Popullit’”.

“Nuk mund të kemi ushtrim të dinjitetshëm të detyrës së prokurorit dhe gjyqtarit pa integritet, sepse integriteti është parakusht i standardit të pavarësisë dhe paanshmërisë! Në mungesë të integritetit, kemi parë “prokurorë dhe gjyqtarë”, të cilët, përveç emrit dhe uniformës që mbajnë veshur, me se paku janë prokurorë dhe gjyqtarë”, tha Blakaj.

Më tej, ai tha se po të kishte Kosova një sistem të përzgjedhjes së prokurorëve dhe gjyqtarëve siç e kanë shumica e shteteve në ShBA, asnjëherë s’do të kishte nevojë për Vetting, pasi sipas tij, qytetari nuk do t’i jepte mundësi për rizgjedhje atyre personave “që bëjnë tregti me drejtësinë dhe e përdhosin autoritetin e drejtësisë. Zgjidhja është reforma”.

Komento: