Blerim Devolli dha dëshminë si palë e dëmtuar, tha se takimet me udhëheqësit e Telekomit ishin sa për t’u njoftuar

14:50 | 21 Mars 2019

Si palë e dëmtuar , sot tha dëshminë në prokurori,Aksionari i 90% të aksioneve të kompanisë Z-mobile, Blerim Devolli.

Ai ka dhënë dëshminë e tij në cilësi të palës së dëmtuar, në gjykimin që po zhvillohet ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa dhe të akuzuarve Ejup Qerimi e Rexhë Gjonbalaj, të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mustafa bashkë me Ejup Qerimin, që drejtoi PTK-në në periudhën 2012-2014, si dhe Rexhë Gjonbalajn, ish-kryesues i Bordit të drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje, akuzohen se i kanë shkaktuar Telekomit të Kosovës humbje afro 30 milionë euro, lidhur me kontratën me Z-Mobile.

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Blerim Devolli ka thënë se i akuzuari Agron Mustafa nuk kishte ndaluar që të implementohet kontrata e lidhur mes kompanisë së tij PTK-së, në vitin 2009.

Lidhur me implementimin e kësaj kontrate, ai në cilësinë e të dëmtuarit, tha se njëherë ishte takuar me të akuzuarin Ejup Qerimi, ndërsa herën tjetër me të akuzuarin Agron Mustafa, si dhe me Shyqeri Haxhën që sipas tij, e kishte nënshkruar këtë kontratë.

Ndërsa, tha se takimet me të akuzuarit Qerimi dhe Mustafa kishin qenë takime për tu njoftuar.

Ai tha se me Qerimin, ishin takuar në zyrën e PTK-së, së bashku me Milot Gjikollin dhe Elvis Pistën, dhe se kishin diskutuar problemet që kishte pasur drejtori menaxhues me kompaninë “Vala”, për problemet me 3G dhe 4G, por tha se në këtë takim nuk ishte arritur asnjë marrëveshje, pasi sipas tij, kishte qenë takim i ftoftë.

Prokurori Naim Abazi e ballafaqoi me deklaratën e dhënë në polici, në të cilën kishte deklaruar se i akuzuari Qerimi i ishte drejtuar me fjalët “unë jam baba, ndërsa ti je djali… dhe në fund të këtij takimi ishim detyruar të dalim nga zyra për shkak të ofendimeve…”, mirëpo në lidhje më këtë deklaratë, i dëmtuari Devolli tha se i akuzuari Qerimi kishte menduar se Z-Mobile i kishte pasur borxh Telekomit.

Sipas tij, takimi mes tyre kishte qenë i ftoftë, për shkak të sjelljeve dhe fyerjeve të të akuzuarit Qerimi, raporton ‘Betimi për drejtësi’.

Ndërsa, me të akuzuarin Mustafa tha se ishin takuar në zyrën e këtij te fundit, dhe se kishin diskutuar për problemet që kishin hasur, dhe mënyrën se si mund të tejkalohen ato probleme.

Ai tha se përveç takimeve me Mustafën dhe Qerimin, ishin takuar rastësisht edhe më të akuzuarin Gjonbalaj në “Princ Caffe”, në Pejë, dhe se aty kishin diskutuar rreth kontratës.

Sipas tij, kur ishte hapur procesi i arbitrazhit në Gjykatën e Londrës, i akuzuari Mustafa kishte kërkuar që të shtyhej afati prej tre muaj, por tha se procedura në arbitrazh ishte zhvilluar pasi kishte qenë vonë.

Ai tha se në kohën kur i akuzuari Qerimi kishte qenë drejtor, Z-Mobile nuk i kishte pasur borxh PTK-së.

Në pyetjen e anëtares së trupit gjykues, gjykatëses Nushe Kuka-Mekaj se gjatë periudhës kohore kur i akuzuari Mustafa kishte qenë drejtor a kishin pasur problem për zbatimin e kësaj kontrate, i dëmtuari Devolli ka thënë se më Mustafën nuk kishte pasur probleme, por me të akuzuarin Qerimi kishin pasur probleme për dhënien e shërbimeve me 3G dhe 4g dhe me dhënien e sim-kartelave.

Ai tha se i akuzuari Mustafa i kishte thënë se ajo çfarë përmbante kontrata do mundohej ta zbatonte.

Ai tha se rastin në Gjykatën e Arbitrazhit e kishin dërguar për shkak të mos lëshimit të shërbimeve të sim karteleve, që sipas tij përgjegjës kishte qenë VALA, ndërsa për arsyen e mos lëshimit të këtyre kartelave tha se nuk e dinte.

Ndryshe, në këtë seancë, përfaqësuesi i të dëmtuarit Blerim Devolli, avokati Driton Musliu dhe përfaqësuesi i të dëmtuarit Milot Gjikolli, avokati Faton Qirezi kanë deklaruar se heqin dorë nga kërkesa pasurore-juridike, pasi sipas tyre, kjo kërkesë ishte realizuar ne një procedurë tjetër pranë arbitrazhit.

Po ashtu, në këtë seancë pasi aktakuza është konsideruar si e lexuar, tre të akuzuarit për të dytën herë nuk e kanë pranuar fajësinë për veprat penale për të cilat akuzohen.

Ndryshe, në shkurt të vitit 2019, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të ushtruar ndaj aktvendimit të gjykatës së shkallës së parë në rastin ndaj ish-drejtuesve të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj.

Kështu, Apeli ka vlerësuar se çështja ndaj ish-drejtuesve të Telekomit që po akuzohen për korrupsion, duhet të gjykohet pasi që paraprakisht, gjykata e shkallës së parë kishte hudhur poshtë aktakuzën ndaj tyre.

Gjykata Themelore në Prishtinë, në dhjetor të vitit 2018, e kishte hedhur poshtë aktakuzën ndaj tyre.

Sipas aktvendimit të gjykatësit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Lutfi Shala, të marr më 7 dhjetor 2018, hudhja e aktakuzës ndaj Agron Mustafës, Ejup Qerimit dhe Rexhë Gjonbalajt, ishte bërë për shkak se nuk është vërtetuar që të akuzuarit kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkoheshin.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 17 gusht 2018, kishte ngritur aktakuzë, ndaj Ejup Qerimit, Agron Mustafës dhe Rexhë Gjonbalajt, me pretendimin se të njëjtit kishin kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 i KPRK-së.

Sipas aktakuzës, nga 19 shkurti 2015 kur Agron Mustafa ishte zgjedhur në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së e deri me 24 maj 2017, edhe pse nuk kishte qenë kompetent në kontestin mes PTK-së dhe tani të dëmtuarës DARDAFON.net (Z-Mobile), kishte lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final të arbitrazhit.

Me ketë veprim, sipas prokurorisë, janë shkaktuar vonesa në lifterimin e Sim-kartelave, nuk kishte furnizuar me bllokun e numeracionit dhe nuk i kishte dhënë shërbimet 3G dhe 4G të dëmtuarës.

Edhe pse për këtë kontratë, për veprën penale “lidhja e kontratave të dëmshme”, me aktgjykim të formës së prerë në qershor 2011, ishin liruar pesë persona, e po ashtu edhe pse autoriteti rregullativ i komunikimeve elektrike dhe postare, tani të dëmtuarës Z-Mobile iu ishte lejuar përdorimi i numeracionit jo-gjeografik 045, i njëjti këto vendime nuk i kishte zbatuar.

Në këtë mënyrë, siç pretendon prokuroria, përkundër përpjekjeve të të dëmtuarës për zgjidhje të kësaj marrëveshje dhe për eliminimin e arbitrazhit të mundshëm, Mustafa nuk kishte ndërmarrë ndonjë veprim në lidhje me këtë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Mustafa, në procedurën e arbitrazhit kishte angazhuar kompaninë “Studioligji”, për të përfaqësuar kompaninë në arbitrazh, në të cilën procedurë gjykata ndërkombëtare e Arbitrazhit kishte marrë vendim në dobi të së dëmtuarës.

Në bazë të këtyre veprimeve të Mustafës, prokuroria po pretendon, se PTK-ja ka qenë e detyruar që ti paguajë të dëmtuarës Z-Mobile 32.856.407.28 euro, pa llogaritur shpenzimet tjera të procedurës së arbitrazhit, në vlerë mbi 500.000 euro, dhe 65.000 funta.

Lidhur me këtë kontest në mes PTK-së dhe Z-Mobile, si në gjykatat vendore ashtu edhe në atë të arbitrazhit, pas të cilave procedura gjyqesore, PTK-ja ishte dëmtuar miliona euro, përpos Mustafes, për periudhën 2012-2014, është duke u akuzuar edhe kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Ejup Qerimi, dhe kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj.

Sipas prokurorisë, të njëjtit kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare, në dëm të të dëmtuarës Z-Mobile, e po ashtu duke i shkaktuar dëm edhe PTK-së.

Komento: