Blerim Devolli u kërkon deputetëve të intervistohet në seancë të mbyllur

11:25 | 21 June 2019

Blerim Devolli kërkon që për Telekomin të intervistohet në seancë të mbyllur.

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala ka nisur punën me pikën e rendit të ditës, intervistimin e Blerim Devollit, pronar i “Dardafon”.

Në fillim, Devolli ka kërkuar që intervistimi i tij të jetë i mbyllur për publikun për “shkak të çështjeve afariste”.

Kontrata e “Z Mobile” të Devollit me Telekomin konsiderohet si e dëmshme dhe një nga arsyet që ka sjellë para falimentimit ndërmarrjen publike.

Mirëpo, paraprakisht deputetët po e pyesin se përse po kërkon seancë të mbyllur.

Deputeti i LDK-së, Haxhi Arifi, ka thënë se për shkak të publikut, është e rëndësishme që të mbahet e hapur mbledhja.

“Duhet t’ia sqarojmë publikut gjithcka që ka ndodhur rreth cështjes me Z-Mobile dhe Telekomin”, ka thënë Arifi.

Ndërkaq, deputeti Milaim Zeka, ka thënë se është e drejtë e dëshmitarit që të kërkojë mbylljen e mbledhjes për media.

“Jam shume i bindur që 80% të informacioneve Devolli do t’i heshtë nëse seanca është e hapur”, ka thënë Zeka.

Megjithatë, kryetari i Komisionit, Visar Ymeri, ka thënë se është kundër qe seanca të mbyllet. “Janë cështje të rëndësishme që duhen sqaruar”, ka thënë Ymeri.

Komento: