Blerim Kuçi përfundimisht mbetët deputet, ky është vendimi i AAK-së

18:42 | 10 January 2019

Aleanca për ardhmërinë e Kosovës dega e Suharekë mos dorëheqjen e deputetit të kësaj partie Blerim Kuçit e ka arsyetuar me atë se kryeministri Ramush Haradinajn nuk e ka miratuar një dorëheqje të tillë.

Ashtu siç pritej, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ia ka miratuar deputetit Blerim Kuçi dorëheqjen. Ky kishte vendosur që ndryshe prej siç do duhej të japë dorëheqje një deputet, në Kuvend, t’i drejtohet fillimisht partisë për t’ia miratuar dorëheqjen.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka vendosur që të mos e aprovojë kërkesën për dorëheqje të deputetit Blerim Kuçi. Ky, më 23 janar të vitit të kaluar kishte deklaruar se nëse deri në fund të vitit 2018 nuk bëhet liberalizimi i vizave për Kosovën, ai do të japë dorëheqje nga posti i deputetit.

“Të paktën do jap dorëheqje nga posti i deputetit. Ky zotim do të kryhet, siç do të realizohen edhe premtimet tjera të Haradinajt”, kishte thënë Kuçi në Rubikon të KTV-së.

Në një konferencë për medie, me rastin e aderimit të dhjetëra të rinjve në AAK, kreu i kësaj partie Ramush Haradinaj tha se nuk e ka aprovuar kërkesën e deputetit Kuçi për shkak, se siç tha ai, nuk është në rregull t’i lënë proceset në gjysmë.

“Dega në Suharekë ka pasur mbledhjen e radhës dhe ata kanë qenë kundër vendimit të Blerim Kuçit, dhe unë jam detyruar mos t’ia pranojmë”, tha ai.

Kuçi i kishte thënë portal Kallxo se “ka bërë kërkesën në Grup Parlamentar të AAK-së dhe në parti dhe në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë do të merremi me këtë çështje”.

“Unë mendoj se njëherë nuk mundet të bëhet sepse është votimi i buxhetit dhe po ashtu edhe jemi pa KQZ”, tha Kuçi.

Portali Koha.net kishte raportuar se Kuçi nuk e ka dërguar edhe në administratë të Kuvendit, por vetëm te grupi Parlamentar dhe te partia, dorëheqjen e tij. Në rast se do ta bënte këtë të parën, pushteti do të mbetej edhe me një deputet më pak, meqë KQZ-ja aktualisht nuk është funksionale, dhe rrjedhimisht nuk mund ta certifikojë deputetin që është në pritje.

Aktualisht pushteti është me minus një deputet, meqë Nezir Çoçaj i PDK-së ka paraqitur dorëheqjen në administratë, ndërsa KQZ-ja po e ka të pamundur që ta certifikojë Rafet Ramën, deputetin që është në pritje në listë, në bazë të votave të fituara në zgjedhjet e vitit 2017 me PAN-in.

Në rast të dorëheqjes së Kuçit, pozitën e deputetit do ta fitonte Bislim Zogaj, i Partisë Demokratike të Kosovës, që do të mund të mund të bëhej deputet kur presidenti Hashim Thaçi vendos që ta zhbllokojë KQZ-në duke emëruar anëtarët sipas rezultatit të zgjedhjeve të kaluara.

Ndryshe, janë edhe 31 asamblistë të Komunave të ndryshme në gjithë Kosovën që kanë mbetur peng i mosfunksionimit të KQZ-së.

Komento: