Blerta Deliu thotë se Kurti e vizitoi Skenderajn për shkak të presionit publik

21:08 | 22 January 2023

Deliu thotë se Kurti e vizitoi Skenderajn për shkak të presionit publik.

Blerta Deliu, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka thënë se kryeministri i Kosovë, Albin Kurti e ka vizituar Skenderajn për shkak të presionit publik.

Kurti të dielën ka shkuar në Skenderaj për vizitë ku është takuar me kryetarin e kësaj komune, Fadil Nura – vizita erdhi pasi qyteti i Skenderajt është përballur me vërshime duke u dëmtuar shumë materialisht.

Por Deliu thotë se vizita e Kurtit do të duhej të ishte në kohë, e jo pas presionit publik.

“Kryeministri bëri mirë që më në fund vendosi të vizitojë Skenderajn, komunën më të prekur nga përmbytjet. Megjithatë, kjo vizitë përveç që do të duhej të realizohej me kohë, do të duhej të vije, mbi të gjitha nga ndjenja e përgjegjësisë dhe jo si reagim ndaj presionit të gjerë publik”, ka shkruar ajo në Facebook.

“Shpresoj që Qeveria do të tejkalojë qasjen e deritanishme të krijuar ndaj rajonit të Drenicës dhe t’u përgjigjet nevojave emergjente të qytetarëve të dëmtuar rëndë nga vërshimet”, ka thënë deputetja opozitare.

Komento: