Blinken i dërgon mesazh Iranit që sulmoi Shqipërinë: Nuk tolerojmë

00:00 | 10 September 2022

Shqipëria është vërsulur nga sulme kimbernetike.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka reaguar pas vendimit të Departamentit të Thesarit të ShBA-së për vendosje të sanksioneve ndaj Ministrisë iraniane të Inteligjencës, pas sulmit kibernetik ndaj Shqipërisë.

Blinken tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë sulme kibernetike që synojnë interesa të vendeve aleate, duke iu referuar në këtë rast Shqipërisë.

“Ne po evidentojmë Ministrinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit dhe ministrin e tij, për përfshirje në aktivitete kibernetike kundër ShBA-së dhe aleatëve tanë. Ne nuk do të tolerojmë sulme kibernetike që synojnë interesat, infrastrukturën ose shërbimet e ShBA-së ose të aleatëve tanë”, ka shkruar Bliken në Twitter.

Kompania multinacionale Microsoft ka bërë publik një hetim që konfirmon se Irani qëndron prapa sulmit kibernetik kundër qeverisë shqiptare.

Menjëherë pas sulmit kibernetik kundër qeverisë shqiptare në mes të korrikut, Ekipi i Zbulimit dhe Reagimit të Microsoft (DART) u angazhua nga qeveria shqiptare për të drejtuar një hetim mbi sulmet, të cilat tashmë janë konfirmuar të jenë drejtuar nga shteti i Iranit.

Pas publikimit të hetimit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kërkoi që stafi diplomatik i ambasadës së Republikës Islamike të Iranit të largohet nga Shqipëria brenda 24 orëve.

Komento: