Blinken: Liderët e Kosovës dhe të Serbisë do të bëjnë kompromise të vështira – përfitimet do të jenë të mëdha

10:43 | 15 February 2023

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në një urim drejtuar Serbisë për Ditën Shtetërore, ka thënë se udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë duhet të bëjnë kompromise të vështira në arritjen e një marrëveshje, por shton se përfitimet për qytetarët e të dyja vendeve do të jenë të mëdha.

Ai po ashtu ka përshëndetur “angazhimin konstruktiv” të Serbisë në bisedimet e fundit me pesë diplomatët e lartë që qëndruan në Beograd për dialogun Kosovë-Serbi, raporton Gazeta Express.

“Përshëndeta angazhimin konstruktiv të Serbisë me zyrtarët e SHBA-së, BE-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë gjatë një vizite të fundit në Beograd. Jam i bindur se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të sjellë siguri dhe prosperitet për Serbinë dhe të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Sigurisht, liderët serbë dhe kosovarë do të bëjnë kompromise të vështira për t’i arritur këto qëllime, por shpërblimet për popullin serb – dhe gjithë rajonin – do të jenë të mëdha”, ka theksuar Blinken në këtë letër.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara janë mbështetëse e fortë e “ambicieve të Serbisë për në BE”.

“Ne jemi të përkushtuar të punojmë me ju dhe partnerët tanë të BE-së drejt këtij qëllimi të rëndësishëm”.

Blinken ka përmendur edhe mbështetjen që Serbia duhet të ketë për Ukrainën.

“Gjithashtu i bëj thirrje Serbisë që të mbështesë Ukrainën kundër luftës së paprovokuar, të pajustifikuar dhe brutale të Rusisë. Shtetet e Bashkuara mirëpritën mesazhet e Serbisë për mbështetjen e Ukrainës në Kombet e Bashkuara – dhe ne duhet të jemi të bashkuar në mbështetjen e të drejtës së popullit ukrainas për të zgjedhur të ardhmen e tyre”.

Komento: