Serbia po i ndalon kamionët kosovarë me mallra.
Kamionët me mallra nga Kosova po bllokohen në Serbi nga autoritetet serbe. Kjo është bërë e ditur nga drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha i cili njoftoi se kamioni i një prodhuesi kosovar që eksporton në Gjermani, u bllokua teksa kalonte në Serbi pasi në dokumentet e tij shkruhej: Republika e Kosovës.
Panxha, përmes një postimi në Facebook, tregoi se ky nuk është rasti i parë, pasi që kompanitë kosovare po hasin në problem te ngjashme.
”Sapo më njoftoi një prodhues që eksporton në Gjermani se kamioni që kalon transit përmes Serbisë i është bllokuar nga autoritetet serbe. Arsyeja e bllokimit është se në dokument shkruan RKS dhe autoritetet serbe nuk e pranojnë asnjë dokument ku shkruan RKS edhe pse është i destinuar për vendet tjera”, ka shkruar ai.
“Kjo do të thotë se bllokadat, pengesat dhe vështirësitë me të cilat përballen kompanitë kosovare nuk kanë të ndalur. Institucionet duhet të reagojnë menjëherë’’, përfundoi Panxha.
Lidhur me këtë ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu për Demokracia.com thotë se Ballkani Perëndimor ka mungesë të zbatueshmërisë së marrëveshjeve.
‘’Kjo që ka ndodhë ditëve të fundit është një fakt që Ballkani Perëndimor nuk ka mungesë të marrëveshjeve por ka mungesë të zbatueshmërisë së këtyre marrëveshjeve. Është koha kur këto probleme duhet të adresohen në instancat më të larta evropiane sepse faktet janë në anën tonë’’, tha Gërxhaliu.
Ai shton se nuk po zbatohen marrëveshjet për liri të mallrave, shërbimeve dhe njerëzve ashtu siç parasheh procesi i Berlinit.
‘’Është e vërtet se sektori privat në Kosovë po përballet me vështirësi të shumta përkundër asaj që janë nënshkruar disa marrëveshje e ajo më e rëndësishmja që ka qenë në kuadër të procesit të Berlinit që ka të bëjë me lirin e mallrave dhe shërbimit të kapitaleve dhe njerëzve dhe e cila nuk është duke u zbatuar’’, tha ai për Demokracia.com.
Ajo që i duhet vendit sipas Gërxhaliut është dialogu me Serbinë, sepse reciprociteti po e pengon ekonominë e vendit.
‘’Duhet që procesi i dialogut të zhvillohet tutje sepse reciprociteti mund ta pengojë këtë proces ekonomik, është koha që Kosova të jetë më diplomatike në aspektin ekonomik të mbështetur nga diplomacia politike.Çfarë do të ndodhte nëse do të ishte e kundërta dhe Kosova do t’i bllokonte mallrat e Serbisë? Prandaj ne duhet të jemi zëri i arsyes për këto barriera dhe të bëhet më tepër presion dhe kërkim për liberalizimit të vizave’’, shtoi Gërxhaliu.
Nëse nuk forcohen marrëdhëniet me vendet evropiane, sipas Gërxhaliut Kosova do të ketë vështirësi në zhvillim dhe avancim.
‘’Nëse nuk e forcojmë partneritetin me vendet evropiane atëherë do të kemi të vështirë që të kemi avancim, zhvillim dhe rritje të prodhimit”, përfundoi Gërxhaliu.
Lidhur me këtë çështje, Demokracia.com ka dërguar pyetje edhe tek Qeveria dhe Dogana e Kosovës mirëpo të njëjtat nuk kanë kthyer përgjigje se sa kamionë janë kthyer nga Serbia dhe a do të merren masa lidhur me këtë çështje.
Ndërkohë kujtojmë se më 30 shtator, përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, janë pajtuar që automjetet e të dyja vendeve, gjatë qarkullimit në territorin e njëra-tjetrës, të vendosin letra ngjitëse mbi simbolet shtetërore të vendit përkatës në targat e automjeteve.