Bllokimi i Komisioneve Hetimore Parlamentare/ Opozita: VV-ja po tenton t’i mbrojë krimet financiare

08:33 | 06 Maj 2024
bllokimi-i-komisioneve-hetimore-parlamentare/-opozita:-vv-ja-po-tenton-t’i-mbroje-krimet-financiare

Derisa ishte në opozitë Lëvizja “Vetëvendosje” insistonte në themelimin e Komisioneve Hetimore Parlamentare, por prej se ka ardhur në krye të institucioneve qendrore, nga marsi i vitit 2021, po e bën të kundërtën.

Partia në pushtet po akuzohet nga opozita se me qëllim që mos të hetohen për skandale të ndryshme kanë bllokuar punën në Komisionet Hetimore.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës nuk ia ka vazhduar mandatin Komisionit Hetimor Parlamentar për rezervat shtetërore, duke e hedhur poshtë kërkesën e adresuar nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, i cili njëherësh ishte edhe kryesues i komisionit të cilit i ka skaduar mandati në mars të këtij viti.

Deputeti i VV-së: Deputetët e opozitës në Komisionin Hetimor kanë bërë deklarata për ‘Tik-Tok’, s’kanë ditur ta menaxhojnë

Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Halil Thaçi ka deklaruar për Front Online se Komisioni Hetimor nuk është menaxhuar mirë.

Ai thotë se deputetët e opozitës që kanë qenë pjesë e Komisioneve kanë bërë deklarata në rrjete sociale.

Akuzën direkte e ka hedhur tek drejtuesi i komisionit, Rashit Qalaj.

”Unë kam qenë në Komisionin për Rezerva Shtetërore dhe përgjigjen më të mirë e jep Instituti për Demokraci në Kosovë, i cila ka thënë se nuk ka ditur të menaxhohet Komisioni Hetimor. Ndërkohe opozita ka bërë deklarata vetëm sa për Tik-Tok dhe rrjete tjera sociale. Rashit Qalaj nuk ka ditur të menaxhoj komisionin hetimor”, është shprehur Thaçi.

Deputeti i VV-së ka treguar arsyen pse e kanë bojkotuar këtë Komision.

“Është e vërtetë se ne si shumicë e kemi bojkotuar për shkak të mos votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, por ne nuk i kemi ikur këtij komisioni, ne kemi deklaruar pse nuk kemi marr pjesë, për kohën sa kemi qenë pjesë e komisionit, nuk kanë ditur të menaxhojnë me komision. Kanë dërguar kërkesa në ministri, pa aprovimin e komisionit e ne si komision na kërkohet ta respektojmë ligjin në përpikëshmëri”, theksoi deputeti Thaçi.

Qalaj i PDK-së: Vetëvendosja ka bllokuar Komisionin Hetimor për ta mbuluar krimin

Ish-kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar, Rashit Qalaj, i është përgjigjur deputetit të VV-së, Halil Thaçit lidhur me mbarëvajtjen e këtij komisioni.

Qalaj ka deklaruar se partia në pushtet ka bllokuar punën në këtë Komision, siç thotë ai, për ta mbuluar krimin.

Gjashtë muaj kanë përdorur mekanizma për bojkotimin e tij, thotë Qalaj për Front Online.

“Mandati i këtij Komisioni ka mbaruar, sepse me datën 5 prill ka qenë data e fundit kur është dashur të dalim me një raport për atë, por për gjashtë muaj VV ka përdorur mekanizma të ndryshëm që të ndalohet puna e komisionit për rezerva shtetërore, duke u munduar që ta mbulojnë krimin”, potencoi Qalaj.

Deklaratat e zyrtarëve pushtetit karshi opozitës për Komisionit Hetimor, Qalaj i vlerëson të pavërteta.

“Ne kemi pasur bllokim nga deputetët e VV-së, sepse kanë gjetur lloj-lloj arsye. Krejt çka thonë ata është e pavërtetë dhe vetëm një është e vërtetë: ata kanë pasur qëndrime bllokuese”, thotë Qalaj.

Arben Gashi: Vetëvendosja po refuzon të hetohet për krimet që kanë bërë

Arben Gashi, deputeti i LDK-së, ka thënë për Front Online se partia në pushtet po refuzon të hetohet për krimet që kanë bërë.

“Nuk po duan të hetohen për krimet që i kanë bërë. Duhet të insistohet që të hetohet”, u shpreh Gashi.

Kadrijaj, AAK: Deputetët e mazhorancës me kauza po mbrojnë aferat korruptive

Deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj ka deklaruar se me kauza të ndryshme, deputetët e pozitës po i mbrojnë aferat korruptive.

Kadrijaj për Front Online thotë se të vërtetën nuk po duan ta zbardhin.

Bllokimi i Komisionit Hetimor sipas saj, asnjëherë s’ka ndodhur në historinë parlamentare.

“Është një kauzë e mazhorancës që t’i mbrojnë të gjitha këto afera korruptive që po ndodhin. Nuk po dëshirojnë të zbardhët e vërteta dhe pretendimet për Martin Berishajn, rezervat shtetërore dhe të tjera. Asnjëherë në historinë parlamentare nuk ka ndodh të pengohen punimet e Komisioneve Hetimore. Për shkak të mos zbulimit të aferave po ndodh krejt kjo, sepse Komisionet Hetimore kanë të drejtë me ndjek rastin edhe tek organet e Prokurorisë në bazë të analizës dhe fakteve”, përfundoi Kadrijaj.

Më 21 shtator të 2023-tes, 69 deputetë kanë votuar pro themelimit të Komisionit derisa gjashtë deputetë kanë abstenuar dhe vetëm një ka votuar kundër.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës nuk ia ka vazhduar mandatin Komisionit hetimor parlamentar për rezervat shtetërore duke e hedhur poshtë kërkesën e adresuar nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, i cili njëherësh ishte edhe kryesues i komisionit të cilit i ka skaduar mandati më 21.03.2024.

Komento: