Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim përfaqësues nga shtete të BE’së në Kosovë.
Presidentja u takua me përfaqësues të Francës, Suedisë, Holandës, Belgjikës dhe Austrisë, ku me ta diskutoi për zhvillimet e grupit punues për vizat të Këshillit Evropian, i cili u mbledh më 13 tetor.
Kështu kanë njoftuar nga Presidenca përmes një komunikate për media.
“Në takimet me ambasadorët e shteteve të Bashkimit Evropian, Presidentja Osmani, ka falënderuar për mbështetjen e dhënë nga shtetet anëtare të BE-së për liberalizimin e vizave të Kosovës dhe ka rikujtuar se ditë më parë Komisioni Evropian ka konfirmuar në Raportin vjetor për Kosovën se mbështet rekomandimin e bërë për heqjen e vizave për Kosovën dhe konstatimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret”, thuhet në njoftim.
Pjesë e diskutimit ishte edhe “kushti” që Franca ia vendosi Kosovës për liberalizim të vizave, pra lidhjen e procesit të liberalizimit me funksionalizimin e sistemit për siguri, ETIAS, të cilën, sipas komunikatës, Presidentja Osmani e ka quajtur “kërkesë teknike”.
Ajo shpreson që kjo të mos ta pengojë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.
“Në këtë drejtim, Presidentja Osmani shprehu besimin që kërkesat teknike të ngritura nga disa prej shteteve anëtare të BE-së lidhur me ETIAS, sistemin evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit, të mos ndikojnë në vendimmarrjen politike dhe caktimin e ditës së hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës duke prezantuar argumentet se një situatë e kundërt do t`i vendoste qytetarët e Kosovës më pozitë diskriminuese.”
Megjithatë, Osmani ka theksuar se, njëjtë si shtetet e tjera, edhe Kosova do të përfshihet në ETIAS, mirëpo “pa ndikuar në caktimin e ditës së hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave.”
Komunikata e plotë:
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim, përfaqësuesit e Francës, Suedisë, Holandës, Belgjikës dhe Austrisë në Kosovë, me të cilët diskutoi për zhvillimet pas takimit të 13 tetorit të grupit teknik punues për vizat të Këshillit Evropian, lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Presidentja do të vazhdoj takimet me ambasadorët e tjerë të shteteve anëtare të BE-së në ditët në vijim.
Në takimet me ambasadorët e shteteve të Bashkimit Evropian, Presidentja Osmani, ka falënderuar për mbështetjen e dhënë nga shtetet anëtare të BE-së për liberalizimin e vizave të Kosovës dhe ka rikujtuar se ditë më parë Komisioni Evropian ka konfirmuar në Raportin vjetor për Kosovën se mbështet rekomandimin e bërë për heqjen e vizave për Kosovën dhe konstatimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret.
Presidentja Osmani theksoi nevojën që vendimmarrja politike lidhur me liberalizimin e vizave brenda BE-së të përmbyllet brenda kryesimit çek të BE-së duke ditur se nuk ka qëndrime kundërshtuese nga asnjë prej shteteve anëtare të BE-së për këtë temë.
Në këtë drejtim, Presidentja Osmani shprehu besimin që kërkesat teknike të ngritura nga disa prej shteteve anëtare të BE-së lidhur me ETIAS, sistemin evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit, të mos ndikojnë në vendimmarrjen politike dhe caktimin e ditës së hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës duke prezantuar argumentet se një situatë e kundërt do t`i vendoste qytetarët e Kosovës më pozitë diskriminuese.
Presidentja Osmani potencoi se Kosova do të përfshihet në ETIAS, sikurse të gjitha shtetet e tjera, në momentin që ai sistem të bëhet operacional, por pa ndikuar në caktimin e ditës së hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave.