Bllokohen mërgimtarët, këto janë zhvillimet më të reja

09:04 | 28 December 2022

Barrikada të reja, bllokohen mërgimtarët: Çka po ndodh në Veri.

Pika kufitare në Merdarë është mbyllur mbrëmë duke lënë të bllokuar shumë mërgimtarë që ishin rrugës për në Kosovë.

Në këtë pjesë të territorit, për vendosje të barrikadës, e një shenjë proteste të vazhdueshme, janë mbledhur disa nacionalistë lokalë.

Për pengimin e qarkullimit, ata kanë vendosur në rrugë një kamion me rimorkio dhe traktorë.

Të tubuarit janë parë duke mbajtur flamuj të Serbisë derisa janë shprehur se e kanë ndërmend të mos lëvizin nga vendi deri në një njoftim të ardhshëm.

Mërgimtarët që u detyruan të ktheheshin nga pika kufitare në Merdarë, raportohet se janë sulmuar me shok-bomba nga persona që qëndruan në barrikada.

Kështu ka rrëfyer për KOHËN, një mërgimtar që foli nga kjo pikë kufitare.

Bllokimi i mërgimtarëve dhe moslejimi i tyre për të hyrë në Kosovë përmes pikave kufitare me Serbinë ishte ngritur si kërkesë në Kuvendin e Serbisë javën e kaluar.

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës (MPJD) u ka bërë thirrje të gjithë bashkatdhetarëve dhe qytetarëve që janë në lëvizje që t’i shfrytëzojnë pika të tjera kufitare pas mbylljes së vendkalimit kufitar në Merdar nga grupet kriminale serbe.

MPJD këshillon qytetarët që të përdorin pikat kufitare në Mutivodë, Dheu i Bardhë ose të marrin rrugë përmes Maqedonisë së Veriut, (pikë-kalimi kufitar i Preshevës) përmes Shkupit.

“Nëse keni hyrë tashmë në Serbi, atëherë ju lutemi t’i përdorni pikat kufitare në Mutivodë, Dheu i Bardhë ose të merrni rrugë përmes Maqedonisë së Veriut (pikë-kalimi kufitar i Preshevës) përmes Shkupit”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar njofton se nuk ka pritje të gjata në këto vendkalime kufitare.

Në Mutivodë pritjet në hyrje-dalje janë 3-5 minuta, ndërkaq te Dheu i Bardhë 10 deri në 15 minuta.

Përditësimi i fundit i QKMK-së është bërë sot në orën 05:47.

Anëtari i të ashtuquajturit komision parlamentar “për Kosovën” në Parlamentin e Serbisë, Sllavisha Ristiq, ka propozuar që Serbia t’ua ndalojë shqiptarëve hyrjen dhe daljen nga Kosova brenda dhe jashtë Serbisë, duke bërë thirrje “për reciprocitet ndaj shqiptarëve të Kosovës

Po dje, grupet kriminale serbe kanë vazhduar me ngritjen e barrikadave në veri, numri i të cilave ka arritur në trembëdhjetë.

Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net ngritjen e dy barrikadave të reja në veri të vendit nga ana e grupeve kriminale serbe.

Ata kanë bllokuar lëvizjen e lirë edhe brenda qytetit të Mitrovicës. Barrikada e ngritur tek udhëkryqi i Shkollës Teknike, lokacion ky në afërsi të Lagjes së Boshnjakëve, është barrikada e parë e vendosur brenda qytetit.

Rruga ku është vendosur barrikada është një prej rrugëve që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut.

Përpos aty, një barrikadë është vendosur edhe në urën e re tek vendi i njohur si “Kërshi i Dudës” në Zveçan, në rrugën që lidhë Rudarën e Zveçanit me Mitrovicën e Jugut.

Vendosja e barrikadave të reja erdhi një ditë pasi KFOR, bëri thirrje që palët e përfshira të shmangin retorikën dhe veprimet që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm të situatës.

Thirrje për kthimin e lirisë së lëvizjes dhe heqjen e barrikadave bëri dje edhe Bashkimi Evropian.

Komento: