Boksieri nga Kosova gjunjëzon nacionalistin serb

23:46 | 24 March 2023

Boksieri nga Kosova, Bernardin Jakaj, e ka mposhtur me pikë nacionalistin serb Marko Nikoliq të premten në mbrëmje, në meçin e vlefshëm për kategorinë gjysmë të rëndë.

Nikoliq pati provokuar para meçit në baza nacionaliste, por Jakaj e tregoi veten në ring.

Meçi i zhvilluar në Austri u dominua nga Jakaj. Madje, boksieri me prejardhje nga Gjakova e rrëzoi një herë Nikoliqin në rundin e dytë.

Por serbi rezistoi deri në rundin e dhjetë [të fundit], e më pas fitorja u vendos nga gjyqtarët. Jakaj ishte fitues i padiskutueshëm, pasi dominoi thuajse secilin rund.

Për Jakajn ishte meç mjaft me peshë. 25-vjeçari nga Gjakova vazhdoi bilancin e qindpërqindtë. Shënoi fitoren e 14 në po aq meçe.

Ndërkohë, serbi Nikoliq regjistroi humbjen e tretë karshi 30 fitoreve. Ai para përballjes pati postuar hartën e Kosovës me flamurin serb dhe me shkrimin “S’ka dorëzim”. U fut në ring me sirenat e bombardimit të NATO-s.

Jakaj pas meçit ka thënë se nuk ka pritur që do të shkohet deri në dhjetë runde. Ka vlerësuar Nikoliqin si një boksier shumë të mirë. Ndërsa ka thënë se synimet i ka të arrijë te titulli i botës. Falënderoi edhe publikun për të cilin tha se kanë qenë fantastik.

Komento: