Bolton: Me Trumpin mund të ketë njohje Kosovë-Serbi – korrigjimi i kufijve i mundur

00:08 | 23 January 2025
bolton:-me-trumpin-mund-te-kete-njohje-kosove-serbi-–-korrigjimi-i-kufijve-i-mundur

Ish-këshilltari i presidentit Donald Trump, John Bolton, ka thënë se marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, duke e përfshirë edhe njohjen reciproke, është e mundshme në mandatin e ri të Trumpit.

Në një intervistë për “A2cnn”, Bolton foli për rikthimin e Donald Trumpit në pushtet, qasjen që do të ketë ndaj rajonit dhe Kosovës në veçanti, gatishmërinë e tij për të çuar drejt një zgjidhjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, apo mundësinë e rikthimit të idesë së korrigjimit të kufijve në tryezë.

“Mendoj se kjo është e mundur. Nëse ai do ta shihte këtë si diçka nga e cila mund të marrë merita, mendoj se do t’i kushtonte vëmendje menjëherë. Ky është një problem shumë kompleks, dhe kjo zakonisht nuk e tërheq atë, por mendoj se do të tërhiqet nga çështjet e sigurisë në Evropën Lindore në përgjithësi për shkak të luftës në Ukrainë”, u shpreh ndër të tjera Bolton.

Intervista e plotë e John Bolton për A2 CNN:

Kohët e fundit, në rajon kanë shpërthyer diskutime rreth investimeve të dhëndrit të Trumpit, Jared Kushner, në Shqipëri dhe Serbi. “The New York Times” ka sugjeruar se liderët e këtyre vendeve mund të jenë duke blerë ndikim te administrata e re Trump. A shihni ndonjë lidhje këtu?

John Bolton: Nga sa kuptoj unë, politika e qeverive të këtyre vendeve është të tërheqin investime të huaja dhe shpresojnë që kjo të ndihmojë në rritjen e mirëqenies në Shqipëri. Supozoj që po ndjekin ligjet e aplikueshme shqiptare. Nëse dikush ka informacione të kundërta, le t’i paraqesë. Por është e vështirë të thuhet që qeveria nuk po ndjek një politikë të qartë dhe të mençur për të tërhequr më shumë investime të huaja. Nëse kjo është e gjitha, nuk shoh përse mund të kundërshtohet.

Gjatë administratës Biden, ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, tani lider i opozitës, Sali Berisha, u shpall “non grata”. A mendoni se administrata e re Trump mund ta anulojë këtë vendim?

John Bolton: Kjo është absolutisht e mundur. Administrata Trump ka bërë shumë për të përmbysur vendimet e administratës Biden. Ky mund të jetë një prej tyre. Megjithatë, nuk kam dëgjuar ende asgjë për këtë.

Në Ballkanin Perëndimor, kthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë është diskutuar gjerësisht, mes shumë pikëpyetjeve dhe shqetësimeve. Ndërsa e dimë që rajoni ka pak gjasa të jetë prioritet për administratën e tij, prisni ndonjë ndryshim në qasjen e SHBA ndaj Shqipërisë ose Kosovës?

John Bolton: Mendoj se interesi që u shfaq gjatë mandatit të parë të Trump për të zgjidhur mosmarrëveshjet e mbetura në Ballkan ishte një prioritet i lartë. Ishte një prioritet i lartë para pushtimit rus të Ukrainës dhe tani është një prioritet edhe më i lartë, të paktën duhet të jetë, për Shtetet e Bashkuara. Natyrisht, ka shumë histori në këtë rajon dhe ndjenjat janë të forta nga të gjitha palët e përfshira, por kemi bërë disa përparime vitet e fundit. Dhe është edhe më e rëndësishme tani, në kontekstin e luftës që vazhdon në Ukrainë. Pavarësisht se çfarë ndodh atje, diçka që ende është shumë e vështirë për t’u parashikuar, paqja dhe stabiliteti në Evropë në tërësi kanë qenë një interes jetik për Amerikën që nga viti 1945 dhe duhet të vazhdojnë të jenë të tilla.

Në Kosovë ka një shqetësim në rritje për kthimin e Trump në Shtëpinë e Bardhë, për shkak të perceptimit se ai mbështet më shumë Serbinë. I dërguari i tij i posaçëm për Kosovën dhe Serbinë, Richard Grenell, kishte mosmarrëveshje me liderët politikë të Kosovës dhe marrëdhënie të mira me liderët serbë. Duke marrë parasysh se Grenell është ngarkuar të menaxhojë kriza në mbarë botën, mendoni se ai do të ketë sërish një rol aktiv në Ballkan? Dhe a do të marrë administrata e re një qasje më të ashpër ndaj Kosovës dhe një qasje më mbështetëse ndaj Serbisë?

John Bolton: Këto janë pyetje shumë të rëndësishme, dhe thjesht nuk e dimë ende. Pozicioni i Grenell nuk ka ekzistuar më parë. Ai dëshironte të bëhej sekretar i shtetit gjatë administratës së dytë të Trump. Natyrisht, kjo nuk ndodhi. Marrëdhënia e Grenell me Marco Rubio, i cili do të jetë sekretar i shtetit, është shumë e paqartë. Në fakt, ka shumë pasiguri për rolet dhe përgjegjësitë në Departamentin e Shtetit në këtë moment. Marco Rubio u konfirmua nga Senati dhe u betua si sekretar i shtetit. Mund të kemi disa qartësi së shpejti. Nëse mosmarrëveshja Kosovë-Serbi do të jetë një nga prioritetet e Grenell, është e vështirë të thuhet. Por, siç përmendët, ai kishte përgjegjësi në fund të mandatit të parë të Trump. Unë do të thosha se nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme midis Kosovës dhe Serbisë ose kudo tjetër, nëse palët e përfshira nuk bien seriozisht dakord. Edhe nëse Grenell do të jetë përgjegjës për këtë çështje dhe favorizon Serbinë, është e rëndësishme të kuptohet se përpjekja për të imponuar një zgjidhje mbi Kosovën ose e kundërta, thjesht nuk do të funksionojë.

Presidenti Trump e përshkruan veten si dikush që mund të zgjidhë konflikte. A besoni se nën drejtimin e tij mund të arrihet një zgjidhje midis Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë njohjen reciproke?

John Bolton: Mendoj se kjo është e mundur. Nëse ai do ta shihte këtë si diçka nga e cila mund të marrë merita, mendoj se do t’i kushtonte vëmendje menjëherë. Ky është një problem shumë kompleks, dhe kjo zakonisht nuk e tërheq atë, por mendoj se do të tërhiqet nga çështjet e sigurisë në Evropën Lindore në përgjithësi për shkak të luftës në Ukrainë. Gjatë fushatës, ai ka thënë se do t’i fuste Zelenskyn dhe Putinin në një dhomë dhe do ta zgjidhte brenda 24 orësh. Sigurisht, ai e kupton sot që kjo është e pamundur. Tani ka deklaruar se shpreson ta përfundojë brenda 6 muajsh. Por duke marrë parasysh një sërë faktorësh destabiliteti, përfshirë Moldavinë me Transnistrian, mosmarrëveshjet për tubacionet që vijnë nga Rusia dhe gazin natyror drejt disa vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, mendoj se do të ketë përqendrim në rajonin si tërësi. Kjo më sugjeron se ky është një moment i mirë për të zgjidhur sa më shumë mosmarrëveshje të vjetra. Prandaj, një interes nga ana e Trump nuk është i pamundur, ndoshta që në fillim të administratës së tij.

Pavarësisht viteve të dialogut, Kosova dhe Serbia nuk kanë bërë përparim të rëndësishëm në normalizimin e marrëdhënieve. Kohët e fundit tensionet janë përshkallëzuar dhe në veri të Kosovës ndodhi një sulm i armatosur në 2023, për të cilin autoritetet në Prishtinë fajësuan Serbinë. Kryeministri i Kosovës ka paralajmëruar se Serbia po planifikon sulme të tjera në veri, ku jeton shumica serbe. A besoni se ekziston rreziku për një konflikt të rrezikshëm mes dy vendeve?

John Bolton: Shpresoj që jo. Kjo është diçka që njerëzit e arsyeshëm duhet të jenë në gjendje ta zgjidhin. Mendoj se ka ekstremistë në të dyja vendet, të cilët kanë pozicione absolutiste që herë pas here pengojnë liderët demokratikë të afrohen më shumë. Vetë unë jam përfshirë, me sugjerimin e ish-kryeministrit britanik Tony Blair për korrigjim të kufijve për të parë se çfarë mund të arrihej. Ishim optimistë, por fatkeqësisht nuk funksionoi. Për shkak të historisë në këtë rajon, duhet të afrohemi me sy të hapur. Siç thashë, nuk mendoj se ushtrimi i presionit do të funksionojë, dhe kur aktorë të pavarur ose, edhe më keq, njerëz që veprojnë në shërbim të qeverive për të shkaktuar dhunë, vetëm do ta bëjnë shumë më të vështirë zgjidhjen e situatës.

Siç edhe e përmendet, në Shtëpinë e Bardhë u propozua një shkëmbim territorial midis Kosovës dhe Serbisë. Ideja u refuzua në fund, por a mendoni se mund të kishte funksionuar si zgjidhje?

John Bolton: Shikoni, ish-shefi im, James Baker, që ishte sekretar i shtetit gjatë administratës së George H. W. Bush, thoshte shpesh për Lindjen e Mesme se Shtetet e Bashkuara nuk mund të duan paqe më shumë sesa vetë palët. Natyrisht, çdo rregullim territorial duhet të ketë pëlqimin e plotë të të dyja palëve, Serbisë dhe Kosovës. Nëse njëra palë pranon dhe tjetra jo, atëherë nuk keni marrëveshje. Kjo është e vështirë. Kërkon vendosmëri politike nga të dyja palët dhe ka shkaktuar shqetësim në pjesë të tjera të Ballkanit. Disa thonë se nëse ka një rregullim territorial midis Serbisë dhe Kosovës, mund të ketë edhe në zona të tjera. Unë nuk mendoj se ky është një shqetësim legjitim. Siç thashë, çdo palë duhet të bjerë dakord përpara se të ndodhin rregullime territoriale. Dhe vetëm sepse ndodh midis Serbisë dhe Kosovës nuk do të thotë që duhet të ndodhë edhe diku tjetër. Kështu që mendoj se është mjaft e vështirë të arrihet një marrëveshje vetëm midis Serbisë dhe Kosovës, pa përfshirë gjithë Ballkanin dhe bërë gjërat më të komplikuara.

A mendoni se Trump mund ta rikthejë këtë propozim në tryezë?

John Bolton: Mendoj se, duke pasur parasysh familjaritetin e tij me këtë çështje në fund të mandatit të tij të parë, ai mund ta shohë këtë si mundësi; tani që sapo është inauguruar, mund t’i japë një kredibilitet të ri. Nuk është afër fundit të mandatit, por është në fillim të tij. Prandaj, mendoj se nëse ai përfshihet, mundësitë për një zgjidhje janë më të mëdha. Nëse nuk përfshihet, atëherë, natyrisht, pasiguria do të vazhdojë. (A2 Televizion)

Komento: