Bolton: Nuk shoh ndonjë marrëveshje të shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë

09:26 | 02 November 2022

Diplomati amerikan dhe njëherësh ish-këshilltari për Siguri kombëtare i ish-presidentit amerikan Donald Trump, John Bolton thotë se nuk sheh ndonjë marrëveshje të shpejtë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai thotë se mundësia për një marrëveshje mund të kishte ekzistuar tre apo katër vjet më parë.

Bolton, në një intervistë për gazetën serbe “Politika” ka thënë se nuk mund të ketë stabilitet nëse palët [Kosova dhe Serbia] nuk janë të gatshme të arrijnë marrëveshje.

“Për momentin nuk shoh ndonjë zgjidhje në horizont, siç ishte më parë. Kur isha këshilltar për Sigurinë kombëtare në administratën e Presidentit Trump, kisha njëfarë përfshirje në adresimin e kësaj çështjeje [dialogu Kosovë-Serbi]. Kishte njerëz që u përpoqën të bënin atë mund të bëhej për të arritur një marrëveshje”, tha Bolton, transmeton Telegrafi.

Ai tha se “nëse Serbia dhe Kosova mund të pajtohen, me gjithë vështirësitë e brendshme, dhe të arsyetojnë një marrëveshje të tillë, mendoj se në atë rast nuk duhet të ndërhyjnë faktorët e jashtëm dhe të thonë se zgjidhja nuk është e pranueshme për ta, sepse mund të ketë pasoja diku tjetër”.

“Stabiliteti nuk mund të arrihet nëse të dyja palët nuk janë të gatshme të arrijnë një marrëveshje, që nuk është shfrytëzuar më parë. Në këtë kuptim, pushtimi rus i Ukrainës tregon se çfarë mund të ndodhë në kontinentin evropian nëse çështjet e kontestuese nuk zgjidhen. Prandaj, liderët e Serbisë dhe Kosovës duhet të përqendrohen edhe më shumë në gjetjen e një zgjidhjeje”, tha ai.

I pyetur nëse janë duke u shqyrtuar korniza dhe formula të reja në zgjidhjen e çështyjes në mes Kosovës dhe Serbisë, Bolton ka thënë se “mënyra për t’iu qasur kësaj çështjeje, veçanërisht sa i përket kufijve, është se asnjëra palë nuk duhet të pranojë atë që nuk dëshiron, përveç të konfirmojnë se këta kufij janë de facto dhe se janë të gatshme t’i pranojnë”.

“Mundësia për të arritur një marrëveshje mund të kishte ekzistuar tre apo katër vjet më parë. Tani një opsion i tillë është i pamundur. Megjithatë, le të marrim si shembull mosmarrëveshjet e kahershme të pikëpamjevenë lidhje me emrin Maqedonia e Veriut, të cilat u zgjidhën me kalimin e kohës. Nëse negociatat do t’u lihen palëve të angazhuara, do të jepte rezultate, sepse në të kundërt pengohet hyrja e atyre vendeve në Bashkimin Evropian dhe NATO. Për mbrojtjen e qytetarët të tyre dhe krijimin e kushteve më të mira ekonomike, duhet të punohet për sigurinë reciproke rajonale dhe avancimin e ekonomisë”, ka thënë Bolton.

Komento: