Një lajm i papritur ka ardhur nga Serie A.
Ylli portugez i Juventusit, Cristiano Ronaldo, mund të vendosë të largohet nga Allianz Stadium në fund të këtij sezoni.
Mediumi italian Radio Rossonera raporton se Cristiano Ronaldo dhe Juventusi mund t’i ndajnë rrugët në fund të sezonit 2019/20, transmeton Express.
Menjëherë pasi u pezullua sezoni, shkaku edhe i problemeve financiare të Juventusit, mediumet italiane raportonin se e ardhmja e Ronaldos mund të jetë larg Torinos. Këto spekulime për 35-vjeçarin po vazhdojnë edhe tani që po afrohet afati kalimtar i verës.
Ronaldo kishte pasur probleme me trajnerin Maurizio Sarri më herët këtë sezon, kur edhe kishte reaguar me zemërim ndaj vendimit të italianit për ta zëvendësuar gjatë ndeshjes kundër Milanit.
Megjithatë, pas atij incidenti, portugezi arriti t’i kthehet formës së tij më të mirë dhe kontribuoi me shumë gola të shënuara në ndeshjet vijuese.
Largimi i tij në këtë moment do ta linte klubin italian në një pozitë të keqe pasi që bardhezinjtë, shkaku i problemeve financiare, do ta kishin të vështirë ta gjenin një zëvendësues për të.
Megjithatë, ndoshta paga e lartë e Ronaldos shihet si barrë për drejtuesit e Juventusit dhe kjo mund të jetë arsye që ata të duan ta shesin portugezin gjatë kësaj vere.
Ronaldo i ka shënuar 53 gola në 75 paraqitje për Juventusin që kur i është bashkuar gjigantit të Serisë A nga Real Madridi në vitin 2018.