“Icardi i ka thënë po Milanit, Wanda Nara po negocion”.
Zlatan Ibrahimovic vazhdon, edhe në moshën 39 vjeç, t’i vendosë të gjithë në rresht. Kampioni suedez është udhëheqësi i vërtetë i Milanit të sotëm.
Sidoqoftë, në më pak se një vit Ibra do të shohë kontratën e tij me kuqezinjtë të skadojë.
Në moshën 40 vjeç, sulmuesi mund të vendosë të tërhiqet ose të mbyllë karrierën e tij diku tjetër, përveç nëse Milani gjen një marrëveshje tjetër për ta mbajtur atë deri në qershorin e ardhshëm, ndoshta më pas duke e bërë edhe drejtues.
Ndërkohë, lajmi i radhës mbi zëvendës Ibrahimovic mbërrin nga Spanja. Duket se kuqezinjtë po flasin me agjentën e Mauro Icardi, për ta rikthyer sulmuesin në Milano.
Ish-kapiteni i Interit luan sot për PSG. Por deri më tani ai nuk ka emocionuar në kampionatin francez, madje shpesh është përjashtuar nga formacioni fillestar.
Agjentja – gruaja Wanda Nara – është, pra, e gatshme t’i gjejë atij një strehim tjetër në 2021.
Sipas portalit iberik Todofichajes.com, ekziston tashmë një parim i marrëveshjes midis Milanit dhe Icardit, duke pasur parasysh edhe dëshirën e lojtarit për t’u kthyer në fushat e Serisë A.
Argjentinasi do t’i kushtonte Milanit rreth 40 milion euro. Një opsion shumë i ndërlikuar për momentin, duke pasur parasysh edhe pagën e lartë që Icardi merr në PSG.
Por me një kualifikim të mundshëm për në Ligën e Kampionëve të ardhshme, kuqezinjtë do të kishin mundësinë për të investuar. Natyrisht, edhe Icardi duhet të bëjë një sakrificë sa i përket rrogës.