“Bomba” e mbrëmjes: Barcelona po e mendon skuadrën pa Messin

21:35 | 29 Korrik 2019

Bartomeu bën deklaratën e fortë, thotë se po e mendon një Barcelonë pa Messin.

Lionel Messi u bashkua me klubin e Barcelonës, në moshën 13 vjeçare, e me të deri tani ka fituar shumë trofe, si ato individual ashtu dhe ato me skuadrën.

Messi po vazhdon të luaj me ekipin katalanas duke dhënë gjithmonë maksimumin e tij, mirëpo askush nuk duhet të harrojë që argjentinasi ka lindur në vitin 1987 dhe një ditë do t’i thotë lamtumirë futbollit. Të gjithë shpresojnë që kjo ditë të jetë sa më e largët, por e sigurt është që do të vijë.

Dhe për këtë ka folur dhe presidenti i klubit “ blaugran” Bartomeu, i cili u shpreh se po mendon një Barcelonë pa Lionel Mesin.

Numri një i klubit katalanas e konfirmon në mikrofonat e “Reuters” planin që ka ekipi për të ardhmen.

“Mendoj se duhet të nisim punën që tani për epokën post-Mesi. Jemi duke u përgatitur dhe po afrojmë futbollistë të rinj. Si president i kësaj skuadre, do të më pëlqente që Leo të qëndrojë me ne për shumë vite, por duhet të mendojmë edhe ndryshimet.

Ai do ta vendosë vetë kur do ta lërë futbollin, ndërsa ne duhet të jemi të përgatitur për këtë gjë. Jo vetëm ne si drejtues, por edhe tifozët dhe dashamirësit e futbollit”, tha Bartomeu.

Kontrata e Lionel Mesit skadon në qershorin e vitit 2021, por në momentin kur Leo firmosi, Bartomeu premtoi se nuk do të ishte rinovimi i fundit i “Pleshtit” me Barcelonën.

Komento: