Klubi italian inter thuhet se ka arritur marrëveshje me yllin e Barcelonës, Ivan Rakitic.
Rakitic ka arritur marrëveshje me Interin, tani u mbetet klubeve të bien në ujdi
Rakitic është pajtuar t’i bashkohet Interit në verë, për shkak se e ardhmja e tij në Barcelonë është tejet e pasigurt. Sipas Gazzetta dello Sport, Interi dhe Barça janë në bisedime për arritjen e një marrëveshjeje.
Barcelona e ka blerë Frenkie de Jongun në janar, dhe holandezi do t’i bashkohet klubit në verë, si dhe është buzë arritjes së një marrëveshjeje me Adrien Rabiotin e Paris Saint-Germainit, i cili është i lirë të bisedojë me klube tjera për të ardhmen e tij pasi refuzoi ta vazhdojë kontratën me gjigantin e Ligë 1, transmeton Gazeta Express.
Kjo nënkupton se mundësitë e Ivan Rakiticit për ta ruajtur vendin e titullarit në skuadrën e Ernesto Valverdes janë pakësuar.
Gazeta italiane raporton se Interi i ka ofruar mesfushorit kroat pagë vjetore prej 6 milionë euro, më shumë sesa që ai merr te kampioni spanjoll (5.5).
Po ashtu, zikaltrit i kanë ofruar klubit katalonas 35 milionë euro për shërbimet e tij, por Barça këmbëngul me kërkesën e saj për 45 milionë euro.
Besohet se palët mund të arrijnë marrëveshje për një shumë në vlerë 40 milionë euro.