Milan i besoi krahun e majtë Theo Hernandez në verën e vitit 2019. Mbrojtësi francez sezonin e kaluar u vendos si një nga më të mirët në Serie A.
Mbërriti nga Real Madrid për 20 milion euro pasi ishte huazuar te Deportivo Alaves dhe u dallua si një nga afrimet më të mira të kuqezinjve dhe një notë maksimale për Paolo Maldini që e bindi në Ibiza.
Por, tani që performanca e tij është rritur dhe ka shpërthyer përfundimisht, duke ditur edhe faktin se rroga që fiton te kuqezinjtë është shumë modeste për një “top player” – 1.5 mln euro – ofertat për Hernandez mund të mbërrijnë së shpejti, njëra prej tyre nga Galacticos, që përpara një viti nuk i besuan!
Sipas raporteve nga portali spanjoll “Don Balon”, Real Madrid do të dëshironte të blinte përsëri Theo Hernandez.
Merengues po analizojnë rrugëtimin që mbrojtësi po bën në Milano. Jo të gjithë lojtarët e Real Madrid arrijnë të vendosen në një nivel të lartë sapo largohen. Marcelo mund të largohet nga Blancos dhe një ofertë për Theo do të ishte gati.
Në fakt, Zinedine Zidane do t’i ofronte Milanit kartonin e Brahim Diaz plus edhe para shtesë.
Mesfushori sulmues i lindur në vitin 1999 u mor gjatë verës si huazim nga kuqezinjtë, të cilët, megjithatë, do të ishin të interesuar për një blerje të mundshme të plotë. Megjithatë, Theo është futbollist i pashitshëm nga kuqezinjtë, të paktën sipas asaj që pronësia ka lënë të kuptohet! Natyrisht, në verë gjërat mund të ndryshojnë dhe shumë do të varet nëse Milani do të hyjë ose jo në Champions.