‘BOMBA’ E MERKATOS! Jorge Mendes i ofron Rafael Leaon Romës – MILANI gati të shesë yllin portugez

11:41 | 18 Gusht 2026

Rafael Leao mund të jetë një nga emrat më të rëndësishëm të merkatos së Milanit këtë verë. Sipas gazetarit Sacha Tavolieri, agjenti i portugezit, Jorge Mendes, ia ka ofruar sulmuesin Romës, rivalëve të kuqezinjve në Serie A.

Milani ka intensifikuar shpenzimet gjatë kësaj merkatoje dhe marrëveshja prej rreth 50 milionë eurosh, plus bonuse, për mbrojtësin e krahut Diego Moreira e ka çuar faturën e klubit për përforcimet e verës në mbi 150 milionë euro. Për këtë arsye, drejtuesit kuqezi po kërkojnë gjithashtu të sigurojnë të ardhura përmes shitjes së disa lojtarëve.

Një nga kandidatët kryesorë për t’u larguar është pikërisht Leao. Përveç deklaratave të tij të mëparshme rreth një largimi të mundshëm, ekzistojnë edhe pikëpyetje mbi përshtatjen e tij me skemën 3-4-2-1 të trajnerit Ruben Amorim, përcjell ORAinfo.

Mendes e ofron Leaon te Roma

Sipas Tavolierit, Jorge Mendes e ka propozuar sot Rafael Leaon te Roma në emër të Milanit. Agjenti portugez po përpiqet të hapë rrugën për një transferim të sulmuesit te verdhekuqtë dhe ia ka paraqitur emrin e tij edhe familjes Friedkin, pronarëve të klubit italian.

Roma mund të jetë një destinacion interesant për Leaon, pasi klubi kryeqytetas mund t’i ofrojë futboll në Champions League. Për më tepër, portugezi mund të përshtatet në planet e trajnerit Gian Piero Gasperini.

Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse Roma ka kapacitetin financiar për të përballuar një transferim të tillë dhe, mbi të gjitha, nëse vetë Leao do të ishte i gatshëm të vazhdonte karrierën e tij në një tjetër klub të Serie A.

Nëse marrëveshja do të konkretizohej, transferimi i Leaos te Roma do të ishte një nga lëvizjet më të bujshme të merkatos italiane. /ORAinfo/

Komento: