
AC Milan është në bisedime me mesfushorin francez Adrien Rabiot për të rënë dakord mbi kushtet personale, duke shpresuar për një rikthim të tij në Serie A.
Pas spekulimeve në fillim të verës, interesimi i Milanit për Rabiot është ndezur sërish ditët e fundit. Sipas burimeve të afërta me klubin, Marseille ka vendosur ta fusë zyrtarisht në listën e transferimeve pas një grindjeje të fortë në stërvitje mes Rabiot dhe bashkëlojtarit Jonathan Rowe.
Në kampin kuqezi, ka gjasa për lëvizje në mesfushë, pasi Yunus Musah pritet të transferohet te Atalanta, ndërsa Ardon Jashari ka pësuar një dëmtim. Trajneri Massimiliano Allegri, i cili ka punuar më parë me Rabiot te Juventusi, ka kërkuar një përforcim me përvojë dhe e sheh francezin si profilin ideal, transmeton ORAinfo.
Negociatat në vazhdim
Sipas përditësimeve nga Fabrizio Romano, negociatat po zhvillohen aktivisht mes Milanit dhe kampit të Rabiot. Marseille kërkon rreth 15 milionë euro për kartonin e tij, por palët ende nuk kanë arritur një marrëveshje të plotë.
Gazetari Matteo Moretto raportoi se Milani është i vendosur dhe po bën maksimumin për të finalizuar marrëveshjen. “Ai është lojtari që Allegri dëshiron dhe negociatat janë në një fazë të avancuar,” shkroi Moretto.
Koha është vendimtare, pasi e ardhmja e Musah pritet të zyrtarizohet sot. Paralelisht, Milani po përpiqet të sigurojë nënshkrimin e Adrien Rabiot, në një lëvizje që mund të sjellë stabilitet dhe përvojë në mesin e fushës. /ORAinfo/