
AC Milan ka vendosur të mos lejojë largimin e Christian Comottos gjatë kësaj vere, pavarësisht interesimit nga disa klube italiane.
Sipas raportimeve të MilanNews, nëse nuk ndodh ndonjë surprizë e minutës së fundit, Comotto do të jetë pjesë e skuadrës së Milanit për sezonin 2026/27. Mesfushori raportohet se ka impresionuar trajnerin Ruben Amorim gjatë fazës përgatitore dhe ndeshjeve miqësore, duke fituar një vend në planet e menjëhershme të trajnerit portugez.
Ideja e klubit është që Comotto të marrë minuta në momentet e duhura, ndërsa njëkohësisht të vazhdojë zhvillimin e tij duke u stërvitur rregullisht me ekipin e parë. Aty ai do të ketë mundësinë të mësojë edhe nga lojtarë me përvojë të madhe, si Luka Modrić,transmeton ORAinfo.

Parma, Bologna dhe Sassuolo interesohen për Comotton
Sipas Calciomercato.com, Parma, Bologna dhe Sassuolo kanë pyetur për situatën e talentit italian. Megjithatë, vendimi i Milanit është që Comotto të qëndrojë të paktën deri në afatin kalimtar të janarit.
18-vjeçari ka rinovuar së fundmi kontratën me kuqezinjtë deri në vitin 2031, ndërsa tani pritet të luftojë për të fituar hapësirë në ekipin e parë.
Amorim duket se po i kushton vëmendje të veçantë talenteve të akademisë së Milanit dhe Comotto është një prej lojtarëve të rinj që ka tërhequr më shumë vëmendjen e trajnerit.
Vendimi i trajnerit për t’u besuar të rinjve u pa edhe të dielën në Torino, ku Amorim i dha Alphadjo Cissé debutimin e tij të plotë në një ndeshje zyrtare. 20-vjeçari e shpërbleu menjëherë besimin e trajnerit duke shënuar golin e parë të ndeshjes. /ORAinfo/