Bombardimet e rënda ruse vazhdojnë edhe sot mbi Ukrainë – këto janë të dhënat e fundit

11:35 | 13 Mars 2022

Vazhdojnë edhe sot bombardimet e rënda ruse mbi Ukrainë – këto janë të dhënat e fundit.

Sirenat e sulmeve ajrore u dëgjuan në të gjithë Ukrainën mëngjesin e së dielës.

Gjithashtu, pati edhe një valë sulmesh raketore ruse mbi Ukrainën.

Disa nga këto sulme u drejtuan në infrastrukturë si aeroporti ushtarak dhe qendra e trajnimit në Yovoriv, pranë kufirit polak dhe aeroportit Ivano-Fraknivsk, shkruan lajmi.net.

Sulme të tjera kanë goditur edhe zonat e populluara, përfshirë qytetin verior të Chernihiv që u godit për të tretën natë me radhë.

Kreu i rajonit të Chernihiv, Vyacheslav Chaus tha në kanalin e tij në Telegram se “pushtuesit filluan një sulm ajror në një ndërtesë të lartë gjatë natës”.

“Në vendngjarje po punojnë ekipet e shpërtimit. Sipas informacioneve paraprake, një person ka humbur jetën, dy janë shpëtuar”, tha ai.

Dhjetë zjarre u regjistruan në qytet gjatë 24 orëve të fundit dhe tre persona kanë vdekur, tha Chaus.

Në jug të Chernihivit, në rrugën kryesore për në Kyiv, një nënë dhe djali i saj u raportuan të vrarë nga bombardimet pranë Brovaryt.

Klubi i futbollit FC Shakhtar shkroi në Twitter se Dmytro Yevdochenko, një futbollist adoleshent premtues dhe nëna e tij, Maryna Yevdochenko, “vdiqën si rezultat i granatimeve nga trupat ruse”.

Qeveria ukrainase po përpiqet të hapë rrugë evakuimi për civilët në vendbanimet përreth Brovaryt, i cili ndodhet përtej lumit Dnieper nga kryeqyteti.

Në rajonin lindor të Luhanskut — pjesa më e madhe e të cilit tani është e pushtuar nga forcat ruse — kreu i administratës rajonale, Serhiy Haidai, tha se ka pasur “granatime masive” të disa qyteteve.

Komento: