‘Bombë’ në Itali: Juventus- Conte, ky është lajmi i fundit

20:14 | 21 September 2022

Juventusi thuhet se ka kontaktuar Antonio Conten për ta rikthyer si trajner.

Mediat italiane shkruajnë se Antonio Conte është kontaktuar nga Juventusi për tu kthyer në klub në verën e ardhshme, por është e vështirë të imagjinohet që trajneri i Tottenhamit do të kthehet në Torino.

Bianconerët janë në një pikë të vështirë pas fillimit të tyre tepër të dobët të sezonit dhe presioni ka filluar të rritet mbi trajnerin Massimiliano Allegri.

Një takim javën e kaluar konfirmoi se pozicioni i trajnerit është i sigurt për momentin, pavarësisht se Pavel Nedved është për shkarkim, por kjo nuk e ka ndaluar përhapjen e thashethemeve.

Shkarkimi i Allegrit dhe stafit të tij do t’i kushtonte Juventusit rreth 45 milionë euro në total dhe është e qartë se një trajner i njohur si Conte nuk do të ishte i lirë, duke fituar aktualisht rreth 15 milionë euro në sezon në klubin nga Londra Veriore.

Gjërat po i shkojnë mirë edhe me Tottenhamin dhe ai në dukje po ndërton një projekt të fortë me Fabio Paraticin në krahë, megjithëse nuk duket se po nxiton të zgjasë kontratën me anglezët.

Conte dihet se është shumë kërkues me transferimet e tij dhe mund të jetë e vështirë për të që të pranojë një rikthim në Torino duke marrë parasysh financat e tyre të kufizuara aktualisht, veçanërisht kur Tottenham duket i gatshëm të marrë objektivat e tij si rasti i Dejan Kulusevski.

Trajneri italian ka një marrëdhënie të dobët edhe me presidentin e Juventusit, Andrea Agnellin.

Në vitin 2019, Paratici dhe Nedved menduan të ri-punësonin Conten pasi Allegri u shkarkua, por Agnelli e hodhi poshtë këtë ide dhe në vend të tij zgjodhi Maurizio Sarrin.

Gjatë një ndeshjeje mes Juventusit dhe Interit në shkurt 2021, dyshja shkëmbyen ofendime gjatë pushimit të pjesës së parë dhe mbylljes së takimit.

Komento: