
Moderatorja e njohur, Bora Zemani, ka qenë e ftuara e radhës në podcast-in e Grida Dumës.
Për herë të parë pas një periudhe të gjatë, Bora ka prekur temën delikate të faljes në marrëdhënie, duke iu referuar në mënyrë të qartë ribashkimit me Donald Veshajn.
Grida e pyeti hapur: “Në çfarë niveli fal ti?”.
Përgjigja e Borës reflekton pjekuri dhe një analizë të kujdesshme të situatës që kaloi.
“Natyrisht nuk fal me naivitet, nuk fal se po gënjehem. Fal me koshiencë të plotë, e di ku është gabuar, por unë do e fal, do e tejkaloj këtë gjë”, u shpreh ajo.
Bora sqaron gjithashtu se falja nuk nënkupton shkelje të parimeve të saj, por përpjekje për të mos hedhur poshtë gjithçka pa u munduar për të ruajtur marrëdhënien.
“Nuk e bëj duke zgjeruar kufijtë, jo, kufijtë ngelen të njëjtat… Nëse ka mundësi të shkatërrohet një marrëdhënie dhe të prishet, a kishte ndonjë mundësi për t’u shpëtuar kjo marrëdhënie?”.
