
Bordi i Paqes ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për dërgimin e trupave të Forca e Sigurisë së Kosovës në Gazë, duke e mirëpritur këtë angazhim.
Në një postim në rrjetin social X, Bordi i Paqes theksoi mbështetjen për vendimin e institucioneve të Kosovës.
“Bordi i Paqes e mirëpret angazhimin e fuqishëm të Qeverisë së Kosovës për të avancuar paqen dhe rindërtimin në Gazë”, thuhet në reagim.
Të hënën, në mbledhjen e shtatë të Qeverisë së Republikës së Kosovës u miratua propozim – vendimi për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kuadër të Forcës Stabilizuese Ndërkombëtare për Gazën.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se nëpërmjet këtij propozim – vendimi, Republika e Kosovës po merr rol aktiv në sigurinë ndërkombëtare dhe po dëshmon gatishmëri për ta ruajtur stabilitetin rajonal.
“Nga një vend që kishte nevojë për forca stabilizuese ndërkombëtare, po transformohemi në vend që kontribuon në stabilitetin ndërkombëtar. Një dëshmi kjo e zhvillimit të Republikës sonë, e maturisë së institucioneve tona dhe e profesionalizmit të lartë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Siguria e pjesëtarëve tanë do të jetë prioritet absolut. Çdo angazhim do të realizohet vetëm në bazë të vlerësimeve të plota operative, me masa të plota mbrojtëse, me koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe pa cenuar gatishmërinë operacionale të FSK-së për detyrën primare të misionit të saj; mbrojtjen e Republikës së Kosovës.
Republika e Kosovës mbetet e palëkundur në orientimin e saj euroatlantik dhe në përkushtimin e saj për të qenë partnere e besueshme, e përgjegjshme dhe aktive në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë ndërkombëtare”, tha Maqedonci.