Bordi i përkohshëm i Drejtorëve të KEK sh.a. në mbledhjen e mbajtur sot, e mërkurë, 24 Qershor 2020, ka marrë një sërë vendimesh. Fillimisht është diskutuar hartimi i strategjisë së KEK-ut, me objektivë të parë re-vitalizmin dhe modernizimin e TermoCentralit Kosova A, dhe si rrjedhojë Bordi është dakorduar për fillimin e procedurave për studimin paraprak të fizibilitetit. Bordi ka përcaktuar edhe objektivin tjetër për përmbushjen e përgjegjësive mjedisore duke synuar pajisjen me lejen e integruar mjedisore sipas legjislacionit në fuqi dhe në përputhje me standardet mjedisore.
Në takimin e sotëm Bordi i përkohshëm njëzëri u pajtua që të krijohet një fond për 20 bursa universitare dedikuar për të rejat dhe të rinjtë nga Republika e Kosovës që studiojnë në degët deficitare dhe strategjike për KEK-un.
Në këtë takim gjithashtu është vendosur që si përkrahje ndaj Komunës së Obiliqit dhe asaj të Fushë Kosovës, të themelohet një program në Qendrën e Trajnimeve të KEK-ut për trajnimin e 100 të rejave dhe të rinjve të cilët kanë përfunduar shkollën e mesme profesionale në lëmitë përkatëse deficitare për KEK-un.
Në fund, Bordi u pajtua për angazhimin zyrtar të konsulencës së USAID-it për të ndihmuar në hartimin e strategjisë së ndërmarrjes, si dhe ngritjen e kapaciteteve në sektorin e burimeve njerëzore, zyrës ligjore, prokurimit dhe sektorë të tjerë të KEK-ut.