Bordi i ri i Telekomit shpall konkurs për Kryeshef Ekzekutiv

12:08 | 07 May 2021

Bordi i ri i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës ka shpallur në mbledhjen e fundit, konkursin për dy pozitat më të larta në ndërmarrjen më të madhe në vend. Bëhet fjalë për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv dhe për pozitën e Zyrtarit Kryesor të Financave dhe Thesarit.

Siç dihet të dy këto pozita më të rëndësishme në Telekomin e Kosovës vazhdojnë të mbahen nga ushtrues të detyrës të përcaktuar nga Bordi i kaluar.

“Bordi i ri prej ditës së parë që është emëruar nga ana e Qeverisë, ka punuar intensivisht për të bërë një skanim të përgjithshëm dhe të saktë të gjendjes faktike në Telekomin e Kosovës dhe ka ardhur në përfundim se gjendja është shumë e rënduar në aspektin financiar dhe operativ”, tha një burim zyrtar brenda Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjisë, Ministri kjo që ka nën menaxhim Bordin e Drejtorëve dhe të gjitha ndërmarrjet publike në vend, përfshirë edhe Telekomin e Kosovës.

Qeveria javë më parë kishte emëruar anëtarët e rinj të Bordit të Drejtorëve të Telekomit të Kosovës me kryesues Shpëtim Dobra si dhe me anëtarët Sajnije Thaqi, Mimoza Vila, Florina Jerliu, Agim Muqaj, Remzi Kelmendi.

“Bordi ka punuar jashtëzakonisht shumë këto ditë, madje disa orë pandërprerë me takime të gjata duke analizuar të gjitha problemet emergjente me të cilat është duke u ballafaquar kjo kompani dhe ndër vendimet e para është shpallja e konkursit për dy pozitat me të larta në Telekomit”, tha i njëjti burim duke bërë të ditur se të drejtë konkurrimi për këto dy pozita kanë të gjithë ata që kanë përvojë të nevojshme profesionale për ta udhëhequr ndërmarrjen në përputhje me parimet e njohura për qeverisjen korporative të ndërmarrjeve publike dhe të vazhdojë zhvillimin e shërbimeve dhe produkteve të korporatës.

Nga ana e tij, kryetari i Sindikatës Profesionale e Telekomit të Kosovës ka thënë se ende nuk ka marrë asnjë konfirmim për vendimet e Bordit të ri, por, ka pranuar se ky Bord tashmë i është qasur me seriozitetin e duhur Telekomit.

“E përshendes çdo vendim të Bordit, përfshirë edhe vendimin për shpalljen e konkursit për Kryeshef Ekekutiv dhe çdo vendim tjetër pozitiv e strategjik që është në të mirë të kompanisë dhe të punonjësve të saj”, deklaroi Muhamet Xhemajli, kryetar i Sindikatës Profesionale.

Sipas tij, është shqetësuese heshtja e Qeverisë lidhur me gjendjen në Telekom, përkundër thirrjeve e protestave publike për gjendjen e vështirë në Telekom, gjendje kjo që rrezikon jo vetëm përkeqësimin e ekonomisë familjare të mijërave të punësuarve në Telekom, por gjithashtu rrezikon edhe operimet teknike në kompani.

“Sindikata Profesionale e Telekomit të Kosovës fton Qeverinë e Kosovës përmes Bordit të ri të Drejtorëve, që të sigurojë stabilitetin e duhur në Telekom, në mënyrë që të mos përsëritet sërish problem i njëjtë me bllokimin e kontove”, theksoi Xhemajli.

Komento: