Qeveria ia zvogëlon dukshëm RTK-së buxhetin.
Qeveria Kurti ia ka zvogëluar për 2.2 milionë euro buxhetin më pak RTK-së. 8.96 milionë euro do të jetë buxheti për vitin e ardhshëm, që është shifra më e vogël në 10 vitet e fundit për televizionin publik.
Për këtë vendim, ka ardhur një reagim i fuqishëm i Bordit të RTK-së.
Në reagim bëhet e ditur se bordi ka ka adresuar një kërkesë për rishqyrtim të buxhetit të planifikuar për RTK-në tek organet kompetente shtetërore.
“Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës shpreh shqetësimin lidhur me buxhetin e ndarë prej 8.96 milionë euro, i cili u miratua dje në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës. Buxheti prej 8.96 milionë euro (aq sa ishte edhe për këtë vit) është buxheti më i vogël që i është ndarë RTK-së në 10 vitet e fundit. Ky buxhet është më i vogël për 2.2 milionë sesa buxheti i vitit 2021, kohë kur RTK-ja qartazi keqmenaxhohej. Këtë keqmenaxhim e ka vërtetuar edhe Zyra Kombëtare e Auditimit në Raportin e tyre të auditimit të performancës së RTK-së për vitin 2019-2021, si dhe raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të RTK-së për vitin 2021. Si pasojë, ndër të tjera, janë trashëguar 1.6 milionë euro borxhe, të cilat përbëjnë kërcënim konstant me bllokimin e xhirollogarive të RTK-së nga përmbaruesit.
Bordi i RTK-së rikujton se kjo ndarje buxhetore përjashton mundësinë praktike të çfarëdo investimi kapital në RTK, qoftë në pajisje pune, teknologji të re, shpërndarje të sinjalit apo përmbajtje kualitative. Buxheti i ndarë, dhe të hyrat tjera vetanake nga marketingu, e as kursimet e planifikuara, nuk sigurojnë as plotësimin e kërkesës ligjore për kontraktim të produksioneve të pavarura, e as nuk sigurojnë shlyerjen e plotë të borxheve që janë krijuar nga menaxhmentet e kaluara ndër vite.
Në RTK ka shumë pajisje që nuk janë ndërruar prej kur është themeluar RTK-ja, sepse nuk ka pasur investime kapitale për shumë kohë. Përkundër këtyre sfidave, ky vit po mbyllet pa borxhe të reja, me rritje të llogaridhënies dhe transparencës, duke kursyer në linja të ndryshme shpenzimesh, duke ristrukturuar natyrën e shpenzimeve, duke mos vazhduar kontratat e paligjshme për afër 250 bashkëpunëtorë të jashtëm. Prandaj, ndonëse Bordi dhe menaxhmenti do të kujdesen në kursime tjera dhe në ristrukturim që i shërben prodhimit dhe efikasitetit, kjo nuk do të sigurojë hapësirë për investime kapitale që janë jetike për funksionimin normal të transmetuesit publik.
Bordi i RTK-së ka adresuar një kërkesë për rishqyrtim të buxhetit të planifikuar për RTK-në tek organet kompetente shtetërore, legjislative dhe ekzektuve. Në kërkesë është elaboruar në detaje se pse ky buxhet është i pamjaftueshëm për mirëfunksionimin e RTK-së, dhe nuk është në harmoni me planet e Bordit. Njëkohësisht, të njëjtit janë informuar edhe lidhur me punët dhe reformat që janë ndërmarrë si dhe me reformën e thellë që po fillon së shpejti. Por, deri më tani, Bordi i RTK-së nuk ka marrë asnjë përgjigje në këtë kërkesë.
Bordi i RTK-së ka kërkuar që për vitin 2023 buxheti i RTK-së të ndahet ashtu siç është përcaktuar me Ligjin për RTK-në, konkretisht në nenin 21 dhe paragrafin 4, në mënyrë që progresi i bërë të jetë i dukshëm. Kjo kërkesë është bërë vetëm për vitin 2023 si vit tranzitor, meqë Bordi është duke finalizuar propozimet për modelet e financimit të RTK-së, ku viti 2024 synohet të jetë vit i fillimit të parapagimit dhe vetëfinancimit të transmetuesit publik, sipas ligjit të ri, i cili duhet të iniciohet sa më parë.
Bordi i RTK-së konsideron se që nga procesi i përzgjedhjes, proces i vlerësuar edhe nga Komisioni Evropian në Raportin për Kosovën, si dhe nga puna dhe angazhimi i deritanishëm, është krijuar një momentum të ri për RTK-në, nga i cili determinohet e ardhmja e RTK-së.
Në këtë kuadër, Bordi i RTK-së edhe njëherë i kërkon Kuvendit të Kosovës që t’i marrë parasysh kërkesat e paraqitura midis dy leximeve buxhetore, kërkesa këto të bazuara për zhvillim e RTK-së përmes investimeve kapitale dhe jo në shpenzime operative” thuhet në reagimin e RTK-së.