Organizata Studentore ‘Reforma’ sot ka organizuar një aksion simbolik në oborrin e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Edison Bibaj, nga kjo organizatë tha se studentët nuk dëshirojnë që edhe Universiteti i Prishtinës të bëhet si Telekomi ku partitë politike kanë punësuar familjarë dhe militantë partiakë.
“Bordi drejtues i UP-së nuk përfaqëson interesat e Universitetit, por më shumë i përshtatet interesave të partive, dhe është shndërruar në bord partiak. Vërehet qartë që ky bord shumë lehtë bie pre e presioneve partiake, të cilat ndikojnë në marrjen e vendimeve karshi interesave të tyre”, tha Bibaj.
Studentët kanë shprehur pakënaqësi edhe për vendimin që për të aplikuar për master duhet të kenë të dinë një gjuhë të huaj. Të njëjtit kanë paralajmëruar se që nga nesër do organizojnë edhe protesta për të kundërshtuar ndërhyrje në Parlamentin Studentor dhe gjendjen në UP.