Bordi mban sekret vendimin që mori, por kontrata me Z-Mobile do të shkëputet

20:04 | 29 Korrik 2019

Bordi s’tregon vendimin që mori në mbledhjen 8 orëshe, por kontrata me Z-Mobile do të shkëputet.

Telekomi do të prishë kontratën me Z-Mobile.

Edhe pse kjo e hënë nuk zbardhi vendimin zyrtar të Telekomit se si do të veprojë në raport me operatorin Z-Mobile, KTV-ja merr vesh se Bordi i Telekomit tashmë ka vendosur që kjo kontrate të mos vazhdohet.

Vendimi është marrë në mbledhjen e Bordit që nisi nga ora 10:00 e paradites, por vendimi zyrtar i marrë në këtë mbledhje, nuk do të publikohet para se të skadojë kontrata 10-vjeçare me Z-Mobile, e që është e marta e kësaj jave.

Besa Shatri Berisha, që është kryetare e Bordit të Telekomit, i ka thënë KTV-së përmes telefonit se janë të obliguar ta respektojnë afatin ligjor, që është 30 korriku, prandaj deri të martën nuk do të flasin asgjë.

Njëjtë kanë thënë edhe nga zyra e kryeshefit Bedri Istrefi.

Derisa e marta pritet të sqarojë gjithçka, punëtorët e Telekomit që nga mëngjesi kanë hyrë në grevë 24 orëshe.

Këtë të hënë në grevë ka hyrë vetëm Prishtina, por nga e marta grevës do t’i bashkohen të gjitha regjionet.

Punëtorët kanë thënë se nuk kanë armë , por kanë letra e ligje për të kundërshtuar një kontratë të re ndërmjet të dyja palëve.

Beteja ndërmjet Telekomit dhe Z-Mobile që nga 2016-ta po vazhdon në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Komento: