Borell konfirmon takimin e 27 shkurtit Kurti-Vuçiq, synohet pranimi formal i planit franko-gjerman

13:32 | 19 February 2023

Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, ka konfirmuar që për datën 27 shkurt janë ftuar për takim kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Në takim pritet edhe pranimi formal i planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ka raportuar Deutsche Welle.

“Me ata të dy do të takohem në Bruksel më 27 shkurt. Po, i ftova të vijnë dhe të zhvillojnë bisedime gjatë gjithë ditës, sepse ne kemi një propozim në tryezë dhe shpresoj se ata do të jenë në gjendje ta pranojnë atë propozim si një mënyrë për të normalizuar marrëdhëniet e tyre”, tha Borell.

E Borrell ka thënë po ashtu se Serbia nuk është duke u harmonizuar mjaftueshëm me politikat e jashtme të Bashkimit Evropian, duke përfshirë mos vendosjen e sanksioneve për Kremlinin nga ana e Beogradit.

Kosova dhe Serbia gjenden në një fazë ku po ju kërkohet arritja e një marrëveshjeje që normalizon raportet në mes dy shteteve.

Gjatë vitit të fundit kriza në mes Kosovës dhe Serbisë është thelluar edhe më shumë.

Komento: