Borell tha se Kurti vendosi kushte për takim me Vuçiqin, Hill: I lumtur që pala serbe tregoi gatishmëri për bisedime

15:38 | 29 Qershor 2024
borell-tha-se-kurti-vendosi-kushte-per-takim-me-vuciqin,-hill:-i-lumtur-qe-pala-serbe-tregoi-gatishmeri-per-bisedime

Ndonëse BE-ja kishte paralajmëruar takimin trepalësh dhe liderët e Kosovës dhe Serbisë kishin konfirmuar pjesëmarrjen, një gjë e tillë s’ka ndodhur më 26 qershor në Bruksel. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell, në një deklaratë për media ka thënë se takimi s’ka ndodhur për shkak të tri kushteve të vendosura nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkruan Gazeta Express.

Lidhur me dështimin e takimit të nivelit të lartë Kurti-Vuçiq ka folur sot ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, duke thënë se është i dekurajuar që dy liderët s’janë takuar.

Ai ka thënë se aktualisht dialogu është në një situatë të vështirë dhe ka shtuar se është i kënaqur që pala serbe ka shprehur gatishmëri për bisedime në Bruksel.

“Ne vërtet mbështesim dhe vazhdojmë të mbështesim procesin e BE-së dhe dialogun e Brukselit, sepse besojmë se është rruga e duhur, në fakt e vetmja rrugë e drejtë”, ka thënë Hill, shkruan N1, transmeton Express.

Ai tutje ka theksuar se duhen bërë përpjekje reale për të arritur njëfarë progresi pasi kanë kaluar shumë muaj gjatë të cilëve nuk është parë shumë.

Për zhvillimet e ndodhura në Bruksel më 26 qershor ka shkruar edhe Ndihmësi i Sekretarit të Shtetit, James O’Brien. Diplomati amerikan ka thënë se takimet e Borell me Vuçiqin dhe Kurtin nënvizojnë se palët duhet të riangazhohen për të trajtuar problemet dhe për të ndjekur mundësitë në kuadër të procesit të lehtësuar nga BE-ja.

O’Brien kisht theksuar se janë Kosova dhe Serbia ato që humbin me moszbatimin e marrëveshjeve të kaluara.

“Moszbatimi i marrëveshjeve të kaluara është me të vërtetë një mundësi e humbur për të dyja palët”, kishte shkruar O’Brien.

Pas dështimit të takimit ka folur edhe Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, duke thënë se një gjë e tillë s’është e lidhur me masat e vendosura ndaj Kosovës, megjithatë ka potencuar se fakti që s’ka ndodhur takimi tre palësh në Bruksel s’ndikon pozitivisht.

Disa shtete anëtare të BE-së janë duke refuzuar heqjen e plotë të masave ndaj Kosovës dhe kanë kërkuar një largim gradual të tyre

Komento: