Borrell fajëson të dyja palët për mosarritjen e marrëveshjes sot në Bruksel

22:32 | 26 Tetor 2023

“Fatkeqësisht palët nuk ishin të gatshme të pajtoheshin, secila pati parakushte që s’i pranonte pala tjetër”

Shefi i Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka deklaruar se Kosova dhe Serbia nuk ishin të gatshme të avanconin tutje në arritjen e një dakordimi për normalizim të raporteve. Ai ka thënë se është i shqetësuar nga ngërçi në dialog.

Siç deklaroi Borrell, pas takimeve në Bruksel, palët nuk arritën të pajtoheshin pasi tha se secila kishte parakushte që nuk i pranonte pala tjetër, transmeton Reporteri.net.

“Jemi shumë të shqetësuar nga ngërçi i procesit të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe sulmet e fundit terroriste që i kemi dënuar sërish në takimin që kemi pasur sot veçmas me kryeministrin Kurti, së bashku me presidentin Macron, kancelarin Scholz dhe kryeministren Meloni, dhe më pas me presidentin Vuçiq, për të diskutuar situatën, për të sqaruar edhe një herë se e vetmja rrugë përpara është dialogu”.

“Ekziston një pengesë e madhe që është themelimi i Asociacionit dhe për t’i ndihmuar palët të arrijnë një marrëveshje, ne të gjithë së bashku paraqitëm një propozim serioz dhe të balancuar evropian për themelimin e Asociacionit dhe këmbëngulëm që palët të shfrytëzojnë këtë rast që do të ishte një rast i madh për rrugën përpara në procesin e normalizimit të raporteve dhe për të shmangur dhunën”.

“Fatkeqësisht, palët nuk ishin të gatshme të pajtoheshin për këtë, për disa parakushte që ishin të papranueshme nga pala tjetër. Në fund, kërkojmë nga palët që të angazhohen seriozisht në procesin e normalizimit që mund të bëhet vetëm në kuadër të dialogut, sepse është e vetmja mënyrë që ato të avancojnë në rrugën evropiane. Ne do të vazhdojmë të insistojmë dhe të punojmë për të arritur një marrëveshje, por sot fatkeqësisht nuk ka qenë e mundur pa parakushte nga secila palë që ishin të papranueshme për tjetrën”.

Komento: