Borrell flet me Kurtin e Vuçiqin, tregon se ҫka u diskutua

23:14 | 05 November 2022

Borrell flet me Kurtin e Vuçiqin, thotë se zhvillimet e fundit rrezikojnë të arriturat.

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Borrell tha se në biseda të ndara, Kurtit e Vuçiqit iu bë thirrje që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të çojë në tensione të mëtejshme.

“Zhvillimet e fundit vënë në rrezik vitet e punës së palodhur në kuadër të dialogut Beograd – Prishtinë”, ka shkruar Borrell.

Tutje, ai tha se i ka kërkuar Kosovës që menjëherë të fillojë me hapat për themelimin e asociacionit si dhe të shtyjë vendimin për targat.

“Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që Asociacioni/Bashkësia duhet të krijohet. Prandaj, themelimi i saj është obligim ligjor për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës”, është shprehur Borrell, transmeton Klankosova.tv.

Ai, më tej u bëri thirrje Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës që të respektojnë obligimet e tyre të dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë ato në polici, gjyqësori dhe në administratat lokale.

“Në të njëjtën kohë, BE-ja përsëri u kërkon autoriteteve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të riregjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM. Çështja e targave mund të zgjidhet nga Palët në kuadër të Dialogut”, theksoi ai.

Komento: