Nga Serbia e Kosova po kërkohet të hiqen barrikadat.
Shefi i diplomacisë Evropiane, Josep Borrell, i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të largojnë menjëherë policinë speciale dhe barrikadat në veri të Kosovës, raporton Gazeta Express.
Borell është shprehur se po vazhdon të ndjek nga afër situatën në veri të Kosovës dhe se sipas tij, është i papranueshëm çdo provokim i mëtejshëm ose veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara.
“Unë vazhdoj ta ndjek nga afër situatën në veri të Kosovës. Serbia dhe Kosova duhet të de-përshkallëzojnë pa kushte situatën në terren, duke tërhequr menjëherë njësitë speciale të policisë dhe duke çmontuar postblloqe. Çdo provokim i mëtejshëm ose veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara janë të papranueshme”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë zgjidhje për të zbutur situatën dhe për të rënë dakord për rrugën përpara, andaj edhe siç ka thënë ai, të dy shtetet do të jenë përgjegjëse për çdo rrezik për sigurinë dhe mirëqenien e komuniteteve lokale.
“BE do t’i mbështesë në mënyrë aktive këto përpjekje. Udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë janë plotësisht përgjegjës për çdo rrezik për sigurinë dhe mirëqenien e komuniteteve lokale si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. E theksova këtë në thirrjet e mia me Presidentin Vuçiç dhe Kryeministrin Kurti këtë javë”, ka theksuar ai.
Borell ka thënë tutje se dialogu i lehtësuar nga BE-ja vazhdon të jetë platforma e vetme për të adresuar dhe zgjidhur të gjitha çështjet e hapura midis palëve, përfshirë ato që lidhen me lirinë e lëvizjes dhe targat.
“Të dy Kryenegociatorët që vijnë në Bruksel ditët në vijim është hapi i parë pozitiv. Thelbësore është që ata të vijnë me një mandat për të diskutuar rrugën përpara dhe për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme që janë në interes të qytetarëve. Ne e përsërisim që ne presim që Kosova dhe Serbia të kthehen në nxitjen e një mjedisi të favorshëm për pajtimin, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin në të mirë të qytetarëve të tyre. Kjo është thelbësore për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, e cila është e nevojshme që të dy të përparojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane”, ka shtuar ai.
Borell ka thënë se është në kontakt të ngushtë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO -s, të cilin e falënderoj për bashkëpunimin e shkëlqyer mes KFOR -it dhe EULEX -it.
“KFOR luan një rol kyç në imbështetjen e stabilitetit rajonal në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi ai.