Borrell jep detaje për telefonatën me Kurtin: Diskutim i mirë, do të punojmë për normalizim të marrëdhënieve

12:04 | 22 October 2022

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka folur për bisedën telefonike që ka pasë dje me kryeministrin Albin Kurti.

Ai ka thënë se pati një bisedë të mirë me Kurtin, derisa theksoi se stabiliteti dhe siguria në rajonin e Ballkanit Perëndimor është edhe më e rëndësishme në kontekstin aktual.

“Diskutim i mirë me kryeministrin Albin Kurti për hapat e ardhshëm në dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Sigurimi i stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor është edhe më i rëndësishëm në kontekstin aktual gjeopolitik. Ne do të vazhdojmë të punojmë drejt një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve”, ka shkruar Borrell në Tëitter.

Për këtë bisedë ka njoftuar mbrëmë edhe Zyra e Kryeministrit.

Sipas komunikatës së ZKM’së, Kurti dhe Borrell folën për procesin e dialogut, mbarëvajtjen e tij, për përmbajtjen e kornizës themelore të marrëveshjes, që për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër dhe për çështje aktuale.

Kryeministri Kurti u shpreh se paqja dhe siguria në njërën anë dhe sundimi i ligjit dhe demokracia në anën tjetër shkojnë bashkë kudo në Kosovë.

Komento: