Borrell tregon çfarë foli me Vuçiqin në telefon.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, përveç bisedës telefonike që ka zhvilluar me kryeministrin Albin Kurti, ai ka biseduar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai ka thënë se temë bisede kishte dialogun Kosovë-Serbi dhe e ardhmja e tij.
“Kam folur me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq për rrugën përpara të dialogut të lehtësuar nga BE. Në mjedisin aktual gjeopolitik është më e rëndësishme se kurrë gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve. Mbesim në kontakt të ngushtë”.
Njoftimin e ngjashëm, Borrell e bëri edhe për bisedën telefonike që pati me Kurtin.
“Diskutim i mirë me kryeministrin Albin Kurti për hapat e ardhshëm në dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Sigurimi i stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor është edhe më i rëndësishëm në kontekstin aktual gjeopolitik. Ne do të vazhdojmë të punojmë drejt një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve”, ka shkruar Borrell në Twitter.
Me Kurtin dhe Vuçiqin u takuan edhe ambasadorët e vendeve të QUNT-it.