
Josep Borrell, gjatë vizitës në Gjermani ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi.
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë në fund të javës.
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, sot është takuar në Berlin me ministrin gjerman të Punëve të Jashtme, Heiko Maas.
Siç raportojnë mediet serbe, transmeton lajmi.net, temë kryesore ndërmjet Borrell dhe Maas, ishte situata në Ballkanin Perëndimor e në veçanti dialogu Kosovë-Serbi.
Sipas raportimeve, gjatë këtij takimi, Borrell është zotuar se do të bëjnë çmos që ta lehtësojnë dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Borrell po ashtu e ka njoftuar ministrin gjerman, Maas për planet dhe vizitën e tij që do ta zhvilloj këtë javë në Prishtinë dhe Beograd.
“Kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor, ne kemi një vizion të përbashkët se si të arrijmë stabilitetin dhe sigurinë në këtë rajon dhe kjo është një gjë e rëndësishme dhe që duhet të bëhet menjëherë”, theksoi Borrell, transmeton më tutje lajmi.net.
Borrell po ashtu ka theksuar se bota dhe Bashkimi Evropian është duke u përballur me sfida të ndryshme dhe në këtë mënyrë sipas tij, më shumë se kurrë duhet të jemi të bashkuar dhe të arrijmë qëllimet e përbashkëta.
“Ne duhet të jemi më të bashkuar dhe të kemi një kuptim të përbashkët për botën, në mënyrë që të zhvillojmë një siguri të përbashkët edhe politikë të jashtme”, deklaroi Borrell.
Pas këtij takimi, Borrell i bëri thirrje Gjermanisë të marrë drejtimin në ndërtimin e një Evrope të tillë.
“Asgjë nuk mund të bëhet pa Gjermaninë dhe unë e di se puna ime do të jetë e suksesshme vetëm nëse kam mbështetjen tuaj”, i tha Borrell ministrit gjerman, Maas.
Theksojmë se Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë në fund të javës dhe se kjo vizitë e tij është menjëherë pas asaj të Richard Grenell, të dërguarit Special të presidentit amerikan, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Sebri.