BQK: Bankat kanë para të mjaftueshme, gjendja financiare në vend është stabile – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

BQK: Bankat kanë para të mjaftueshme, gjendja financiare në vend është stabile

15:19 | 24 Mars 2020

BQK thotë se gjendja financiare në vend është stabile, bankat kanë para të mjaftueshme.

Banka Qendrore e Kosovës pas paraqitjes së pandemise së Coronavirusit në vend, ka thënë se gjendja financiare në vend është stabile.

BQK në një përgjigjje për Telegrafin, thotë se bankat komerciale në Kosovë kanë likuiditet të mjaftueshëm financiar.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës konform masave të ndërmarra në nivel qendror si dhe konform vendimeve të saj, është duke u përkujdesur që të siguroj mbarëvajtjen e funksionimit të sistemit bankar e financiar. Për momentin, gjithçka është duke rrjedhë normalisht, bankat kanë likuiditet të mjaftueshëm, ku edhe çështja e sistemit të pagesave është duke rrjedhur normalisht”, thuhet në përgjigjjen e BQK-së.

Institucioni më i lartë financiar në vend, njofton se, pagesat elektronike mund të kryhen pa asnjë pengesë, sikurse në kohët e zakonshme.

“Pagesat përmes kartelave mund të kryhen sikurse në kohët e zakonshme, njëjtë vlen për e-banking e po ashtu edhe për tërheqje të parave të gatshme nga ATM-të. Gjithashtu, ju njoftojmë se duke marrë parasysh gjendjen shumë të mirë financiare të sektorit bankar, ky sektor është një ndër sektorët më likuid dhe më i kapitalizuari në krahasim me vendet e rajonit, por edhe me të Bashkimit Evropian”, njofton banka.

Ditë më parë, BQK kishte marr vendim që të pezullojë pagesën e kësteve vetëm për kredimarrësit me vështirësi financiare.

“BQK së bashku me Shoqatën e Bankave të Kosovës kanë vendosur bashkërisht që për bizneset dhe individët të cilët për shkak të gjendjes së krijuar në vend dhe rënies së nivelit të të hyrave të tyre, të ju mundësohet pezullimi i pagesave të kësteve të kredisë, nga data 16 mars 2020 deri me 30 prill 2020 dhe varësisht nga situata, ky pezullim të shqyrtohet edhe për më gjatë. Pezullimet e pagesave të kësteve të kredisë do të shqyrtohen për të gjitha rastet veç e veç me qëllimin që sektori bankar t’i ndihmoj klientëve të tyre në tejkalimin e situatës së krijuar. Kredimarrësit, të cilët kanë hasur vështirësi financiare, si rezultat i rënies së të hyrave personale apo biznesore, të kontaktojnë bankat e tyre me kërkesën për pezullim të pagesave të kësteve të kredisë. Në rastet e aprovimit nga ana e bankës, interesat ndëshkuese të lidhura me kreditë nuk do të aplikohen në këtë periudhë. Gjatë kësaj periudhe, ndaj kredimarrësve nuk do të aplikohen masa të përkeqësimit të klasifikimit kreditor”, thuhej në vendimin e BQK-së.

Komento: