
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar se për herë të parë ka përfshirë arin në portofolin e aseteve zyrtare rezervë, duke e cilësuar këtë si një moment historik në zhvillimin e rezervave të shtetit.
Sipas komunikatës, ky vendim përfaqëson një arritje të rëndësishme institucionale dhe reflekton modernizimin e vazhdueshëm të menaxhimit të rezervave.
“Ky zhvillim përfaqëson një arritje të rëndësishme institucionale dhe reflekton modernizimin e vazhdueshëm të kornizës së menaxhimit të rezervave të BQK-së”, thuhet në njoftim.
BQK thekson se përfshirja e arit rrit diversifikimin dhe qëndrueshmërinë e portofolit rezervë, duke e përafruar atë me praktikat ndërkombëtare të bankave qendrore.
Sipas institucionit, gjatë viteve të fundit është bërë reformim i gjerë i menaxhimit të aseteve dhe rrezikut, i mbështetur edhe nga partnerë ndërkombëtarë si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe Thesari i SHBA-së.
“Gjatë viteve të fundit, BQK-ja ka ndërmarrë një transformim gjithëpërfshirës të praktikave të menaxhimit të aseteve, administrimit dhe menaxhimit të rrezikut”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, BQK ka bërë të ditur se është avancuar edhe bashkëpunimi përmes Programit RAMP të Bankës Botërore, si dhe përmes marrëdhënieve me institucione financiare ndërkombëtare dhe infrastrukturë globale si Clearstream.
Sipas BQK-së, përfshirja e arit është vetëm hapi i parë i një procesi afatgjatë të alokimit strategjik të rezervave.
“Ajo ndërtohet mbi qëndrueshmërinë tashmë të konsoliduar financiare të BQK-së, qeverisjen e shëndoshë dhe kornizën e kujdesshme të politikave”, theksohet më tej.
BQK shton se ari tradicionalisht shërben si instrument për ruajtjen e vlerës dhe diversifikimin e rezervave shtetërore.
“Për BQK-në, përfshirja e tij përfaqëson një hap strategjik drejt forcimit të mëtejshëm të qëndrueshmërisë së portofolit rezervë”, thuhet në fund të komunikatës.