Java Ndërkombëtare e Parasë është iniciativë globale e udhëhequr nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) dhe bashkon 176 vende të botës për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e Edukimit Financiar, të cilën BQK-ja e shënon në vazhdimësi. Për vitin 2025, java u mbajt nga 17 deri më 21 mars 2025 dhe kishte moton: “Mendo para se të klikosh, për një siguri financiare nesër”.
Përmes një komunikate për medie bëhet e ditur se ‘JNP 2025’ u hap me ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve për nxënësit e shkollave të arsimit fillor dhe të mesëm – 5 për videot dhe 20 për punimet artistike më të mira – të cilat kishin për temë fushën e Edukimit Financiar, bazuar në ftesën publike të hapur në muajin shkurt 2025, në të cilën kanë aplikuar gjithsej 119 nxënës nga shkolla të ndryshme të vendit.
“Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, me rastin e ndarjes së këtyre çmimeve i përgëzoi nxënësit për punën e bërë në videot dhe punimet e tyre artistike, duke i inkurajuar ata që të vazhdojnë me angazhimin për rëndësinë e edukimit financiar. Gjithashtu, ka falënderuar prindërit dhe mësimdhënësit për mbështetjen dhe përkushtimin e tyre”, thuhet në komunikatë.
Tutje bëhet e ditur se në kuadër të kësaj jave, me qëllim të promovimit të hulumtimeve shkencore, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka shpallur konkursin për “Çmimin për Ekonomistin e Ri”. Përmes këtij konkursi, BQK ka ftuar të gjithë hulumtuesit e rinj të aplikojnë me punimet e tyre shkencore për të garuar për këtë çmim prestigjioz.
Më tej vëhet në dukje se ‘Java’ u përmbyll me konferencën e lansimit të projektit “WE Finance Code”, një nismë e BQK-së me mbështetjen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Shkollës së Frankfurtit për Financa dhe Menaxhim, e cila ka për qëllim mbështetjen e qasjes në financa për gratë ndërmarrëse.
“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar në promovimin e Edukimit Financiar, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit mbi sigurinë financiare dhe fuqizimin e qytetarëve për të marrë vendime të informuara mbi financat e tyre. Përmes fushatave ndërgjegjësuese, projekteve inovative dhe bashkëpunimeve me institucionet vendore e ndërkombëtare, BQK synon të ketë një ndikim të qëndrueshëm në ngritjen e vetëdijes mbi njohuritë financiare të vendit tonë”, thuhet në fund të komunikatës.