BQK tregon se kush mund të shtyjë këstin e kredisë për pagesë – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

BQK tregon se kush mund të shtyjë këstin e kredisë për pagesë

15:34 | 16 Mars 2020

BQK-ja pezullon pagesën e kësteve të kredisë nga sot deri më 30 prill.

Pas situatës me koronavirus, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë disa masa lidhur me funksionimin normal të sistemit financiar.

Masat e ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës me qëllim ndaljen e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19, pritet të ndikojnë në zhvillimin e aktivitetit të bizneseve dhe për rrjedhojë dhe në uljen zvogëlimin e nivelit të të hyrave për bizneset në vend, njofton Klan Kosova

Duke marrë parasysh këtë, Guvernatori Mehmeti, së bashku me anëtarët e Bordit Ekzekutiv ka zhvilluar takime gjatë dy javëve të fundit për të diskutuar lidhur me zhvillimet në vend. Po ashtu Bordi Ekzekutiv, me datë 15 mars 2020 ka takuar Bordin e Shoqatës së Bankave të Kosovës (SHBK), me të cilët ka diskutuar për masat që BQK-ja dhe sektori bankar duhet të ndërmarrin me qëllim të ruajtjes së stabilitetit financiar në vend dhe funksionimit normal të sektorit bankar, si në kryerjen normale të pagesave, furnizimit me para të gatshme në tërë territorin e vendit, e posaçërisht në qytetet, të cilat janë karantinuar.

BQK-ja së bashku me SHBK-në kanë vendosur bashkërisht që për bizneset dhe individët të cilët për shkak të gjendjes së krijuar në vend dhe rënies së nivelit të të hyrave të tyre, të ju mundësohet pezullimi i pagesave të kësteve të kredisë, nga data 16 mars 2020 deri me 30 prill 2020 dhe varësisht nga situata, ky pezullim të shqyrtohet edhe për më gjatë.

“Pezullimet e pagesave të kësteve të kredisë do të shqyrtohen për të gjitha rastet veç e veç me qëllimin që sektori bankar t’i ndihmoj klientëve të tyre në tejkalimin e situatës së krijuar. Kredimarrësit, të cilët kanë hasur vështirësi financiare, si rezultat i rënies së të hyrave personale apo biznesore, të kontaktojnë bankat e tyre me kërkesën për pezullim të pagesave të kësteve të kredisë. Në rastet e aprovimit nga ana e bankës, interesat ndëshkuese të lidhura me kreditë nuk do të aplikohen në këtë periudhë” thuhet në komunatikatë.

Gjatë kësaj periudhe, ndaj kredimarrësve nuk do të aplikohen masa të përkeqësimit të klasifikimit kreditor.

Me këtë rast, me rastin e pezullimit të pagesave të kredive, BQK-ja ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme ligjore që kreditë të mos klasifikohen, të mos kërkohen provizione shtesë dhe të mos klasifikohen si kredi me probleme në Regjistrin e Kredive.

Komento: