Koronavirusi po vazhdon të marrë shumë jetë në Kosovë.
Ka më shumë se nëntë muaj prej kur qytetarët e vendit tonë po ballafaqohen me pandeminë COVID-19.
Ditëve të fundit janë rritur edhe rastet me të infektuar, po ashtu edhe numri i viktimave.
Betejën me virusin COVID-19 e kanë humbur edhe dy pacientë, të cilët po trajtoheshin në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit.
Këtë e ka konfirmuar për IndeksOnline, drejtori klinik i Spitalit të Përgjithshëm, dr. Ukshin Ismaili.
“Fatkeqësisht, në orët e mbrëmjes betejën me COVID-19 e ka humbur një qytetare e Gjilanit, ndërkaq në orët e mesnatës ka ndërruar jetë edhe një pacient nga Komuna e Bujanocit, i lindur më 1956. Familjeve të tyre, në emrin tim dhe në emër të Spitalit të Përgjithshëm, ua shpreh ngushëllimet më të sinqerta”, ka thënë Ismajli .
Ai ka shtuar se gjendja në këtë spital është e rëndë, derisa kanë fluks të madh të pacientëve.
“Gjendja s’është aspak e mirë. Kemi bërë njësi shtesë. Po provojmë ta menaxhojmë situatën me mundësitë që kemi”, ka shtuar Ismajli.
Kujtojmë se numri i të vdekurve në Kosovë si pasojë e pandemisë COVID-19, ka shkuar mbi 800.