Vetëm në pesë mujorin e parë të këtij viti, 37 persona kanë humbur jetën nga aksidentet e trafikut.
Rrugët e Kosovës në pesë muajt e parë të këtij viti ishin të përgjakshme.
Fatkeqësisht në këtë periudhë kohore humbën jetën 37 persona në aksidente trafiku.
Në bazë të statistikave që ka siguruar lajmi, në 31 aksidente me fatalitet që kanë qenë nga muaji janar deri në muajin maj, 37 persona kanë humbur jetën.
Mirëpo, krahasuar me periudhën e njëjtë kohore, statistikat policore flasin se ka rënie të numrit të të vdekurve dhe aksidenteve fatale.
Sipas Policisë së Kosovës, në periudhën kohore janar-maj të vitit 2018, kanë qenë 35 aksidente fatale, ku fatkeqësisht 42 persona kanë ndërruar jetë.
Sa i përket aksidenteve me lëndime, për pesë muajt e parë në vendin tonë janë regjistruar 1 mijë e 922 aksidente dhe krahasuar me periudhën e njëjtë kohore, këtë vit numri i aksidenteve me lëndime ka shënuar rënie. Sipas statistikave policore, vitin e kaluar aksidente me lëndime ishin 2 mijë e 276, që i bie se këtë vit kanë ndodhur 354 aksidente më pak.
Nga këto aksidente kanë pësuar lëndime 3 mijë e 568 persona, apo 976 persona më pak se vitin e kaluar janë lënduar këtë vit nëpër aksidente, raporton lajmi.
Në lidhje me aksidentet me dëme materiale, Policia e Kosovës, ka bërë të ditur për lajmi.net, se këtë vit janë regjistruar 3 mijë e 264, dhe në krahasim me periudhën janar-maj të vitit 2018, numri i aksidenteve me dëme materiale ka regjistruar rënie për 4.95 për qind apo në shifra, këtë vit kanë ndodhur 170 aksidente më pak.
Edhe në totalin e aksidenteve këtë vit ka rënie. Sipas statistikave gjatë pesë muajve të parë të vitit të kaluar në vendin tonë kishin ndodhur 5 mijë e 745 aksidente, ndërkaq këtë vit në periudhën e njëjtë kohore numri i aksidenteve në përgjithësi ka pasur rënie.
Sipas statistikave të Policisë në total këtë vit në pesë muajt e parë janë regjistruar 5 mijë e 217 aksidente apo 528 aksidente më pas se në periudhën e njëjtë kohore të vitit të kaluar.
Rritje në këtë periudhë kohore ka në shqiptimin e tiketave të trafikut për kundërvajtje të ndryshme.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur për lajmi.net, se në pesë muajt e parë të këtij viti janë shqiptuar gjithsej 170 mijë e 300 tiketa trafiku, pra 14 mijë e 940 më shumë se në periudhën e njëjtë kohore të vitit të kaluar.
Sipas Policisë së Kosovës, planet konkrete për siguri në trafik dhe fushatat vetëdijësuese kanë ndikuar në rënien e numrit të aksidenteve.
Mirëpo, ata kanë bërë apel te ngasësit e veturave që të kenë kujdes në drejtimin e automjeteve të tyre.
“Kërkojmë nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që drejtimin ( vozitjen) e automjetit ta përshtatin me kushtet në rrugë, të respektojnë shenjat e trafikut rrugor, kufizimin e shpejtësisë si dhe të jenë shumë vigjilent, sepse kujdesi maksimal i pjesëmarrësve në trafik, në veçanti i vet drejtuesve është i domosdoshëm për të shmangur aksidentet dhe në këtë mënyrë të krijohet një siguri më e madhe në trafikun rrugor”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
Duhet theksuar se Policia e Kosovës ka marrë masa shtesë për sezonin veror.